Google ADS

Ministria nuk ua mundëson fermerëve sigurimin e kulturave bujqësore as pas pesë vjetësh tentative

22:12 | 20 Maj 2019
Arbresh.info

Fermeri Abit Abiti nga Pestova e Vushtrrisë po e bën plehërimin e rreth 10 hektarëve tokë të mbjellë me patate.

Ai, bashkë me familjarët e tij merren me kultivimin e kësaj kulture, ndërsa për çdo vit përballet me vështirësi të shumta gjatë punës, siç janë dëmet që i shkaktohen nga fatkeqësitë natyrore, raporton KTV.

Për këtë, ai thotë se për të dhe gjithë fermerët e tjerë është e nevojshme që Kosova të ketë sigurime bujqësore.

Kjo në mënyrë që, sipas tij, në rast të dëmtimit të kësaj kulture dhe kulturave tjera, të ketë kompensime.

Por, kjo kulturë nuk është përfshirë në sigurimet bujqësore nga Ministria e Bujqësisë, e cila vetëm ka lansuar këtë program, mirëpo fermerët ende nuk kanë mundësi aplikimi.

Janë gjashtë kultura të tjera ku ata pritet të aplikojnë për sigurime bujqësore.

Agronomët thonë se Ministria gjegjëse është vonuar për këtë vit me sigurime bujqësore, pasi, sipas tyre, ka kaluar koha e të mbjellave të tyre.

Sidoqoftë, ka pesë vjet që Ministria e Bujqësisë synon funksionalizimin e këtij sistemi të sigurimeve, i cili ende nuk ka nisur së zbatuari në tërësi.

Është planifikuar që ky dikaster ta mbulojë 50% të shumës së sigurimit dhe pjesën tjetër fermerët.

“Kohavisioni” ka provuar të kontaktojë me drejtorin e Departamentit për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqi, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme