Google ADS

Ministria e Shëndetësisë konfirmon dyshimet për rastin e parë të Lijës së majmunëve në Kosovë

11:15 | 4 Qershor 2022
L G

Mbrëmë është raportuar për një rast të dyshuar me infektim të Lijës së majmunëve në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë sot ka konfirmuar se ekziston dyshimi për infektimin e një personi me këtë virus, shkruan arbresh.info.

Ministria ka konfirmuar se të premten rreth orës 17:41 nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë në Lijën e majmunëve (Monkeypox).

Sipas MSH-së, pacienti i dyshuar për infektim me këtë virus, është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit.

“Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, me datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë në Lijën e majmunëve (Monkeypox). Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit. Është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK me datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile”, bënë të ditur MSH.

Sipas kësaj ministrie, po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve.

“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Hollandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”, thuhet tutje në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK, njofton qytetarër e Republikës së Kosovës, se për çdo informatë të re, opinioni publik do të informohet në kohë reale, dhe se situata është e qetë dhe stabile./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme