Rreth 21 milionë euro në vit ndahen për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në Kosovë.
Por, zyrtarë shëndetësorë thonë se ky buxhet është i pamjaftueshëm për të përmbushur listën esenciale dhe nevojat e pacientëve. Nga Qendra Klinike Universitare adresohen kritika në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë në largim të Kosovës, për blerjen e barnave me çmime larta sesa çmimi real në treg.
Lista esenciale me barna, asnjëherë nuk ka arritur të përmbushet në tërësi që nga paslufta e fundit në Kosovë.
Shemsi Veseli, anëtar i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë i blen barnat me çmim shumë më të shtrenjtë sesa çmimi real i tyre. Andaj, kjo sipas tij, ka ndikuar që lista esenciale të mos mund të përmbushet për mungesë të buxhetit.
“Listën esenciale e bën Ministria e Shëndetësisë. Ndonëse kemi dërguar propozime, ato nuk merren parasysh. Buxheti për barna nga Qendra Klinike është alokuar në Ministrinë e Shëndetësisë”.
“Kontratat e lidhura nga Ministria e Shëndetësisë që i blejnë barnat për QKUK-në , i kanë më të shtrenjta 2 milionë euro, sesa të njëjtat kur janë blerë nga QKUK-ja vite më parë. Ta zëmë, një ilaç, ‘fermibarbiton’ që në treg kushton 1.5 euro, Ministria e Shëndetësisë e blen 9 euro”, ka deklaruar Veseli.
Mungesat në listën esenciale të barnave, sipas ekspertëve shëndetësorë, vlerësohet të ketë ardhur si pasojë e alokimit të buxhetit për barna në vlerë prej 15 milionë euro, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Ministrinë e Shëndetësisë.
Zyrtarë të lartë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar qysh në fillim të planifikimit të blerjes së barnave, iu kanë munguar 5 milionë euro.
Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se çdo zyrtar shëndetësor ka mundësinë e diskutimit në rast se ka shkelje ligjore dhe kjo të korrigjohet në përputhshmëri me ligjin.
Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në këtë ministri tha se nuk mund t’i komentojë të gjitha ankesat që vijnë nga sistemi shëndetësor.
“Nuk mund t’i komentojmë pohimet që mund të shprehen në kuadër të sistemit shëndetësor, pasi pavarësisht nëse dikush punon në kujdesin parësor, dytësor apo tretësor e ka mundësinë ideale që nëse ka çështje që mund të korrektohen të shprehen në vijën institucionale, të diskutohen, të shihet nëse janë të vërteta ose jo dhe më pas të përmirësohet procesi i furnizimit”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq, Shemsi Veseli thotë se buxheti është i pamjaftueshëm në përgjithësi për sektorin e shëndetësisë.
‘’Buxheti duhet rritet edhe sa gjysma e buxhetit aktual. Vetëm për aparaturë të re nevojiten 60 milionë euro shtesë. Për shëndetësi nuk është paraparë rritje e buxhetit as për vitet e ardhshme”, ka thënë Veseli.
Derisa Faik Hoti ka dhënë detaje për mjetet e ndara për barna për këtë vit nga Qeveria e Kosovës.
“Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për barna dhe material shpenzues dhe për citostatikë për vitin 2017, është mbi 21 milionë euro. Prej kësaj shume, 15 milionë euro janë të dedikuara për kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësorë, ndërsa 6 milionë të tjera për Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komuna”.
“Furnizimi gjatë këtij viti ka qenë afërsisht në limitet e mundësive financiare dhe furnizimi me barna shkon deri në 80 për qind ndonëse ka ndryshime, derisa furnizimi çalon në materialin shpenzues”, është shprehur Hoti.raporton REL
Kurse drejtori i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni, tha se furnizimin me barna e kanë stabil, duke përmendur disa mungesa të kohëpaskohshme, por që me kërkesë emergjente, po zgjidhen.
“Klinika Onkologjik është stabile me furnizim. Ka shumë mundësi që nga java e ardhshme do t’i kemi tri produkte në mungesë, e që jemi duke u munduar të bëjmë zgjidhje derisa të fillojë tre mujori i tretë”.
Sido që të jetë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se alokimi i buxhetit nga një institucion në tjetrin, ka qenë kërkesë e donatorëve dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës/arbresh.info/
Tre të mitur e godasin me grushte dhe i vjedhin para një 38-...
Vendimi i Gjykatës Speciale për Shalën, Jonuzin dhe Bahtijar...
U asfiksuan nga gazi, humbin jetën dy persona në Kamëz
Flet ministri Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...