Ministria e Kulturës kundërshton Komunën e Prishtinës: Pjesa e drurit e larguar ishte e domosdoshme për restaurim

13:53 | 15 Nëntor 2024
E.K

Ministria e Kulturës ka reaguar pas kritikave të Komunës së Prishtinës lidhur me largimin e pishave që kanë qenë të vendosura rreth Teatrit Kombëtar të Prishtinës.

Ministria në një komunikatë për media kanë thënë se po realizohet investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në këtë institucion.

Sipas Ministrisë, projekti për restaurimin dhe zgjerimin e hapësirave të teatrit është hartuar nga profesorë të angazhuar nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës, dhe për realizimin e tij janë marrë leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.

Ministria ka shpjeguar se largimi i drurit nga afër Teatrit ishte një pjesë e domosdoshme e projektit, pasi rrënjët e drurit po dëmtonin muret dhe strukturën e ndërtesës, duke penguar punimet e nevojshme për drenazhimin dhe përforcimin e themeleve.

Reagimi i plotë:

Ministria e Kulturës po bën investimin më të madh që është bërë ndonjëherë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, restaurimin e plotë dhe zgjerimin e hapësirave të tij.

Për hartimin e këtij projekti janë angazhuar profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës ndërsa jemi pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.

Largimi i drurit në afërsi të teatrit ka qenë i paraparë në projekt për shkak që rrënjët e tij kanë qenë të mbështetura në muret e strukturës së ndërtesës, duke dëmtuar kështu strukturën dhe duke pamundësuar realizimin e punëve të drenazhimit, përforcimin e themeleve dhe vazhdimin e zbatimit të projektit.

Po kujdesemi që projekti të zbatohet tërësisht, dhe punët të zhvillohen në mënyrën më profesionale. Natyrisht që druri i prerë do të zëvendësohet. Hapësirat e gjelbërimit janë të parapara dhe do të zbatohen në detaje./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme