Ministria e Jashtme e gatshme të ju dalë në ndihmë kosovarëve në Itali

14:28 | 24 Shkurt 2020
Arbresh Info

Deri më tani janë shënuar 219 raste të të infektuarve nga koronavirusi në të gjithë shtetin italian.

Siç dihet, në këtë shtet jetojnë mijëra qytetarë nga Kosova të cilët mund të jenë të prekur apo të rrezikuar nga koronavirusi.

I kontaktuar nga gazetarët e arbresh.info, Arben Rugova nga Ministria e Punëve të Jashtme, deklaroi se kjo ministri është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën e Kosovës në Itali për të mësuar se nëse dikush nga kosovarët preket nga ky virus.

Rugova më tutje tha se Ministria e Punëve të Jashtme në çdo mënyrë do të qëndrojë afër qytetarëve kosovarë që preken nga ky virus.

“Në mënyrë të vazhdueshme jemi në kontakt me ambasadën tonë në Itali. Fatmirësisht deri më tani nuk kemi ndonjë rast të konfirmuar. Në rast se marrim informacion që njëri nga qytetarët tonë preket nga ky virus, dua t’ju them se Ministria e Punëve të Jashtme do të qëndrojë afër tyre në çdo mënyrë”, tha Rugova për arbresh.info.

Nga ana tjetër edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali, ka në ëeb faqen e tyre ka publikuar një njoftim në të cilën ka  dhënë informacionet ku mund të thërrasin qytetarët kosovarë.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë së bashku me Konsullatën e Përgjithshme në Milano janë duke e monitoruar dhe ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes emergjencën shëndetësore lidhur me përhapjen e “Koronavirus – Covid 19”, në Itali. Fatmirësisht, deri më sot nuk rezulton i prekur nga ky virus asnjë shtetas nga Kosova. U bëjmë thirrje shtetasve tanë me banim/qëndrim në Itali, se në rast nevoje mund të na kontaktojnë në çdo moment në numrat e emergjencës 24/7.
Në koordinim me organet dhe institucionet tona dhe ato vendore italiane, mbetemi në gatishmëri të plotë të shtetasve tanë.”

Për çdo eventualitet, kontaktoni në numrin emergjent të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë: +393274526991; ose në atë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Milano: +393472127662.”, thuhet në njoftimin e ambasadës./A.Begolli/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme