Ministria e Financave ka dhënë detaje se si bizneset mund të përfitojnë nga pako e Qeverisë së Kosovës për biznese, shkruan Arbresh.info.
Me qëllim të informimit të drejtë të bizneseve dhe opinionit, Ministria e Financave njofton për mënyrën e përfitimit nga masa 1.1 e vendimit të Qeverisë Nr. 10/33, datë 28.09.2020 (i plotësuar/ndryshuar), që ka qëllim mbështetjen e biznesit për një pjesë të shpenzimeve të pagave (linjës së pagave), si në vijim:
Të gjitha bizneset përfituese janë përzgjedhur vetëm mbi bazën e kritereve objektive dhe të dhënave të deklaruara nga tatimpaguesit në sistemin EDI të ATK-së, duke prerë datën 28.09.2020 (data kur është marrë vendimi i Qeverisë nr. 10/33).
Asnjë ndryshim i të dhënave nga tatimpaguesit në sistemin e ATK-së pas datës së marrjes së vendimit të Qeverisë (28.09.2020), nuk është marrë parasysh, përveç përditësimit të llogarisë dhe e-mail adresës, për çka iu është bërë thirrje vazhdimisht.
Asnjë biznes nuk ka aplikuar dhe as nuk ka dërguar asnjë të dhënë apo informacion tek Komisioni Ndërministror apo MF/ATK. Përpunimi i të dhënave me qëllim të aplikimit të kritereve të zbërthyera nga Komisioni është bërë përmes veglave elektronike, duke u fokusuar vetëm në sektorin/aktivitetin e deklaruar nga tatimpaguesi, bazuar në numrat unik identifikues.
Në përputhje me vendimet e Qeverisë Nr. 10/33, Nr. 14/34 si dhe Nr. 1/35, subvencionimi për një biznes në bazë të këtyre kritereve është bazuar në numrin e të punësuarve, vetëm si një referencë objektive për të ndarë në mënyrë të drejtë, objektive dhe të barabartë subvencionimin prej 60 milionë euro. Me këtë rast, janë përdorur këto periudha kohore, të njëjta për të gjithë:
o Për bizneset e regjistruara para vitit 2020, për bazë për subvencionim është marrë numri i të punësuarve të deklaruar me deklaratën përkatëse tatimore për muajin Dhjetor 2019 nga Tatimpaguesi në sistemin EDI të ATK-së;
o Për bizneset e regjistruara deri në muajin Korrik 2020, për bazë për subvencionim është marrë numri i të punësuarve të deklaruar me deklaratën përkatëse tatimore për muajin Korrik 2020 nga Tatimpaguesi në sistemin EDI të ATK-së;
o Për bizneset e regjistruara gjatë muajit Gusht 2020, për bazë për subvencionim është marrë numri i të punësuarve të deklaruar me deklaratën përkatëse tatimore për muajin Gusht 2020 nga Tatimpaguesi në sistemin EDI të ATK-së;
Sidoqoftë, në rastin e bizneseve më të mëdha, në zbatim të vendimit të Qeverisë Nr. 1/35, datë 12.10.2020, kur bizneset kanë deklaruar më shumë se 50 punëtorë të deklaruar në Dhjetor 2019 dhe kur zvogëlimi i numrit të deklaruar në ATK në raport me muajin korrik 2020 ishte mbi 5%, për referencë për subvencionim është marrë numri i deklaruar në dhjetor/2019, duke reduktuar/zvogëluar subvencionimin për numrin e zvogëluar të punëtorëve gjatë 2020.
Ministria e Financave falënderon të gjithë tatimpaguesit që kanë kontribuar në mënyrë aktive ndër vite, dhe këtë mënyrë të shpërndarjes së subvencionit e sheh si një mënyrë të mbështetjes së drejtpërdrejtë, me kritere objektive, pa procedura të aplikimit e vlerësimit, të barabartë për të gjithë, bazuar në mundësitë buxhetore të Republikës së Kosovës, që bizneset sa më lehtë të tejkalojnë sfidat e rimëkëmbjes, duke ruajtur dhe nxitur punësimin, aftësinë afariste si dhe duke vazhduar kontributin ndaj ekonomisë./Arbresh.info/
Protesta në të gjithë vendin për djegien e pemës së Krishtli...
Një delegacion nga SPAK vizituan Zyrën e Kryeprokurorit të S...
Përmes veturës intelegjente policia identifikon 30 vetura të...
Djali i Donald Trump poston një foto të babait të tij ‘duke ...
Gresa e imiton Rovenën
Panik në kullën Eifel, zjarr në ashensor