Ministria e Financave nënshkruan marrëveshje me Bankën Zhvillimore të KE-së për kredi në vlerë 35 milionë euro

18:02 | 14 Gusht 2020
Arbresh.info

Ministrja Hykmete Bajrami ka nënshkruar marrëveshje për kredi me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE), përfaqësuar nga guvernatori i kësaj banke, Rolf Wenzel, në vlerë prej 35 milionë euro.

BZHKE është institucion i Këshillit të Evropës që ka mandat mbështetjen e sektorit social ku përfshihet edhe sektori shëndetësor. Pas goditjes së Evropës nga pandemia, BZHKE ka reaguar me hapjen e dy raundeve të jashtëzakonshme për mbështetjen e 41 vendeve anëtare në ngritje të kapaciteteve shëndetësore për ballafaqim me pandeminë COVID-19.

Ministria e Financave ka punuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë për të ofruar mbështetjen e nevojshme që të përmirësohet ndjeshëm trajtimi dhe kapacitetet e sistemit shëndetësor për të forcuar qëndrueshmërinë dhe kualitetin e shërbimeve shëndetësore. Në veçanti, kjo marrëveshje do të financojë pajisje mjekësore sipas nevojave të MSH-së dhe SHSKUK-së, si dhe do të financojë në mënyrë retroaktive linjat buxhetore për masat 6 dhe 7 të pakos emergjente sa i përket mbështetjes për sektorin shëndetësor.

Vlen të theksohet se kjo është kredia e parë sovrane me BZHKE-në, dhe kjo mbështetje do të mundësojë implementim të shpejtë të masave dhe do t’i vë në dispozicion sistemit shëndetësor resurse të cilat nuk i ka pasur që nga periudha e pasluftës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme