Ministria e Drejtësisë ka sqaruar serish se dispozitat fillestare që janë propozuar në ndryshimin e Kodit Penal për ndëshkimin penal të “fryrjes së organeve kushtetuese dhe të simboleve të shtetit” janë marrë model nga Kodi Penal i Gjermanisë.
MD, po ashtu, ka reaguar edhe ndaj raportimeve se Gjermania do t’i heqë këto dispozita nga Kodi i saj Penal, por sipas sqarimit të Ministrisë së Drejtësisë, nga Kodi Penal i Gjermanisë do të largohen vetëm dispozitat që penalizojnë fyerjen e Presidentëve të huaj, por jo atij Federal gjerman.
Po ashtu, në një njoftim të MD’së thuhet se “duke i marrë parasysh debatet e fundit në media, dhe para se të fillojë konsultimi publik për Kodin Penal në tërësi, Ministria e Drejtësisë bën ftesë publike drejtuar të gjitha institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale, avokatisë, shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve akademike që të ofrojnë opinionet, propozimet apo shqyrtimet e tyre lidhur me nenet”, thotë kumtesa e MD’së.
Ky është njoftimi i plotë:
Duke marrë parasysh një sërë deklaratash publike lidhur me propozimet fillestare për “fyerjen e organeve kushtetuese dhe të simboleve të shtetit”, përfshirë ato të përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Ministria e Drejtësisë jep sqarimin si vijon:
Propozimet për ndëshkimin penal të “fyerjes së organeve kushtetuese dhe të simboleve të shtetit” (nenet 134/C dhe 134/D), janë marrë nga Kodi Penal i RF të Gjermanisë, shtet ky i cili është anëtar i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës, dhe i cili ka një prej standardeve më të larta të respektimit të drejtave të njeriut. Dispozita penale që ndëshkojnë fyerjen e organeve kushtetuese, të shtetit dhe të simboleve të shtetit kanë edhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, siç janë Franca, Italia, Polonia, Greqia, Lituania, Portugalia, Sllovenia, etj. Gjermania do të heq nga viti 2018 fyerjen e kryetarëve të shteteve të huaja, por jo edhe fyerjen e Presidentit Federal të Gjermanisë, e cila do të mbetet dispozitë penale.
Liria e shprehjes, duke përfshirë kritikën ndaj institucioneve shtetërore, është e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë dhe bazë e patjetërsueshme për një rend kushtetues demokratik. Në anën tjetër, respekti për organet kushtetuese dhe simbolet e shtetit kërkon që kritika të jetë e bazuar dhe jo me qëllime poshtërimi dhe ofendimi, gjë që nuk i kontribuon diskursit konstruktiv. Ministria e Drejtësisë beson se debati publik si i tillë mund të bëhet pa fyerje dhe ofendime, të cilat janë në kundërshtim me kulturën dhe traditën tonë.
Ministria e Drejtësisë i ka bërë disa propozime për plotësimin e Kodit Penal për qëllimet e debatit publik, i cili do të zhvillohet sipas rregullave të Qeverisë, për procedimin e projektligjeve. Të gjitha propozimet për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal do të bëhen publike dhe do të ofrohet mundësia për debat publik. Megjithatë, duke i marrë parasysh debatet e fundit në media, dhe para se të fillojë konsultimi publik për Kodin Penal në tërësi, Ministria e Drejtësisë bën ftesë publike drejtuar të gjitha institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale, avokatisë, shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve akademike që të ofrojnë opinionet, propozimet apo shqyrtimet e tyre lidhur me nenet si në vijim:
Neni 134/C
Fyerje ndaj Shtetit dhe Simboleve Shtetërore
1. Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara:
1.1. fyen apo me keqdashje shpreh përbuzje ndaj Republikës se Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues; ose
1.2. fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës se Kosovës dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose me gjobë.
2. Kushdo që heq, shkatërron, dëmton, e bën të papërdorshme ose palexueshme, ose ndryshon me dashje flamurin e ekspozuar publikisht të Republikës së Kosovës ose një emblemë shtetërore të vendosur nga një autoritet publik i Republikës se Kosovës, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose me gjobë.
3. Kushdo që me qellim mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës se Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, dënohet me dënim me burgim deri në pesë (5) vite.
4. Tentativa për kryerjen e veprave penale të përcaktuara në këtë nen është e dënueshme.
Neni 134/D
Fyerja ndaj Organeve Kushtetuese
1. Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara fyen një organ kushtetues, përfshirë Presidentin, Kuvendin e Kosovës, Qeverinë, Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë cilësi në mënyrë që dëmton respektimin e shtetit dhe kështu qëllimisht mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës se Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.
2. Vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni mund të ndiqet vetëm me autorizimin e organit kushtetues apo anëtarit të sulmuar me këtë vepër.
Me qëllim të transparencës sa më të madhe, nenet në fjalë si dhe opinionet, propozimet dhe shqyrtimet e pranuara do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.
Nëse pas debateve shteruese mbizotëron qëndrimi se është e arsyeshme që organet kushtetuese dhe simbolet e shtetit të mund të fyhen dhe të ofendohen pa ndëshkime penale, atëherë edhe Ministria e Drejtësisë do të veprojë në pajtim me këtë qëndrim.
Ministria e Drejtësisë mirëpret çdo opinion, propozim dhe shqyrtim të neneve të propozuara, me shkrim, në adresën: [email protected], deri më datën 15 maj 2017.
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...