Ministria e Drejtësisë insiston në një ekspertizë tjetër për rastin e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Ministri i Drejtësisë, Abelrar Tahiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës një fond prej 50 mijë euro për t’i mbuluar mjetet financiare për një ekspertizë të mëtutjeshme lidhur me rastin Dehari, për ta qartësuar përfundimisht se çfarë ka ndodhur.
Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, pohojnë se analiza e ardhur së fundmi nga Austria ka të bëjë me origjinalitetin e video-incizimeve, ndërsa iniciativa e ministrit Tahiri ka të bëjë me përmbushjen e rekomandimeve të dala nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, së datës 20 Dhjetor 2016, pika nr.4 që lenë të hapur mundësinë e familjes Dehari për të kërkuar ekspertizë shtesë për rastin në fjalë edhe jashtë vendit.
Në një përgjigje për arbresh.info zyrtarë të kësaj ministrie pohojnë se shuma prej 50 mijë eurosh, është shifra fillestare e cila ende nuk është ndarë.
“Mbi këtë bazë, ministri Tahiri në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të përmbushur këto rekomandime me ҫ‘rast ka propozuar një shumë fillestare e cila në fakt nuk është ndarë ende”, shprehen zyrtarë të kësaj ministrie.
Sipas tyre, Ministria e Drejtësisë është në pritje të një përgjigje nga famija Dehari, e cila bashkë me Institutin e Mjekësisë Ligjore do të caktojnë vendin e ekspertizës dhe shumën e nevojshme për këtë ekspertizë.
“Megjithatë, vendin e ekspertizës, kërkesën për të dhe shumën e nevojshme për të plotësuar të gjitha shpenzimet në lidhje me këtë rast do ta sjellin si propozim Familja Dehari së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore, kurdo që ata e konsiderojnë të nevojshme. Ministri Tahiri mbetet i përkushtuar për të plotësuar të gjitha obligimet që dalin nga rekomandimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
Arbresh.info, ka provuar të marr një përgjigje nga Vetëvendosje dhe familja Dehari rreth kësaj çështje, por nuk ka arritur të marr ndonjë përgjigje, nëse do të pranohet të bëhet edhe një ekspertizë apo jo.
Në anën tjetër zyrtarë të Institutit të Kosovës për Drejtësi pohojnë se cfarëdo iniciative që ka për qëllim zbulimin e të vërtetës duhet shqyrtuar seriozisht.
Ehat Miftaraj nga IKD, thotë se “Rasti Dehari” ka ngritur shumë pikëpyetje pa përgjigje dhe një prej rasteve më të diskutuara në sistemin e drejtësisë në vend.
“Rasti Dehari hyn në kuadër të rasteve më të diskutuara në sistemin e drejtësisë në Kosovë, që nga paslufta. Mënyra se si është trajtuar ky rast ka ngritur shumë pikëpyetje, pa përgjigje që kanë mundur të bindin publikun në Kosovë”, thotë Miftaraj.
Sipas tij, ka pasur versione të ndryshme rreth mënyrës dhe shkakut të vdekjes së tij, dhe çfarëdo iniciative e bazuar në ligj, do të ndikonte në zbardhjen përfundimtare të rastit.
“Publiku lidhur me këtë rast ka pranuar informata dhe versione të ndryshme qoftë nga institucionet e thirrura me ligj për hetimin dhe ndjekjes e kryesve të veprave penale, qoftë nga përfaqësues të familjes Dehari apo persona të autorizuar nga kjo familje. Në këtë drejtim, çdo iniciative e sinqertë dhe e bazuar në ligj, që do të ndikonte në zbardhjen dhe zbulimin e të vërtetës lidhur me këtë rast duhet marr në konsideratë dhe shqyrtuar seriozisht”, thotë Miftaraj.
Ndryshe, më 5 nëntor bëhet një vit nga vdekja e aktivistit të Vetëvendosje, Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. I ndjeri, po mbahej në paraburgim për hetimet lidhur me dyshimin se bashkë me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, Atdhe Arifi, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi kishin planifikuar, organizuar dhe ekzekutuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.
Më 4 shtator të këtij viti Prokurori i Shtetit ka pranuar nga Republika e Austrisë, përkatësisht nga Ministria Federale e Brendshme, Enti Federal i Kriminalistikës raportin e ekspertizës së videos në rastin ‘Dehari’.
Ky raport ka konstatuar se të gjitha video-incizimet paraqesin vulat kohore dhe janë gjithashtu të shikueshme. Gjatë transparencës së videove raporti ka konstatuar se këto janë në gjatësi identike dhe me këtë mund të përjashtohet manipulimi i video-incizimeve. Raporti i ekspertizës po ashtu ka konstatuar se nuk ka pasur manipulim apo ndërprerje të video-incizimeve./Gita Lushi/ Arbresh.info
Kryetari i Zubin Potokut: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ka d...
Shpërthimet në veri, Haradinaj: Organet e sigurisë të bashkë...
Përplasja e Xuxit me Kevinin shkaktoi momente të tensionuara...
Xuxi pyet Edin: “A i ke ra pishman që ke dal?” –Edi: “Pishma...
Hezbollahu e cilëson si “fitore hyjnore” armëpushimin me Izr...
Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, ndërpr...