Më shumë se një muaj më parë Kryeministri Ramush Haradinaj kishte pritur në zyrën e tij prindërit e Astrit Deharit, para të cilëve ishte zotuar se rasti tragjik i djalit të tyre do të ndriçohej. Disa ditë më vonë, Qeveria kishte marrë vendim që të ndahen 50 mijë euro në mënyrë që për aktivistin e Vetëvendosjes, ekspertiza të kryhet jashtë shtetit ashtu siç e kërkon familja.
Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, të martën, për Express ka thënë se tani e tutje me këtë punë duhet të merret prokurori i rastit. Gazeta i ka dërguar pyetje Prokurorisë në Prizren, por ata nuk janë përgjigjur.
Në tetor, prindërit e Astrit Deharit përmes avokatit të tyre kishin drejtuar një kërkesë Kryeministrit z.Ramush Haradinaj, duke i kërkuar që në kuadër të kompetencave të tij të obligojë Ministrinë e Drejtësisë që të angazhojë Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lausanne- Zvicër: Centre Hospitalier Universitaire Vaudois –CHUV për hetime të pavarura.
Por Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se Iniciativën për dërgimin e kësaj ekspertize jashtë vendit e ka ekskluzivisht Prokuroria, gjegjësisht Prokurori i rastit, dhe jo Qeveria apo Ministria që ai drejton.
Ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë i ka kryer të gjitha obligimet që i takojnë për këtë rast, dhe tash mbetet në duart e prokurorisë të vazhdojë më tej procedurat, pasi ndërhyrja e tij në këtë çështje është përzierje në punët e drejtësisë.
Ai ka thënë se ministria e tij vetëm mund të ndihmojë në lehtësimin e proceduarave, nëse këtë e kërkon Prokuroria.
“Ne si qeveri edhe si ministri çka kemi bërë deri më tash është se i kemi ndarë mjetet, 50 mijë euro të cilat kanë shkuar në Prokurorinë e Shtetit, dhe unë kam ofruar të gjithë anën logjistike që Ministria e Drejtësisë posedon përmes të cilës mundemi me ndihmu në këtë rast, qoftë përmes departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar qoftë përmes departamenteve tjera për ti lidhur kontaktet me institutet ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë informacion nëse Prokuroria i ka nisur procedurat, dhe se deri më tash ata nuk kanë kërkuar ndonjë ndihmë nga ministria që ai drejton.
“Ne po presim iniciativën e tyre, ata deri më tash nuk na kanë komuniku dhe nuk na kanë kërkuar asgjë. Para dy javësh e kam takuar Prokurorin Lumezi edhe e kam pyet ku kanë mbërri procesi edhe më ka thënë që janë duke proceduar”, ka thënë Tahiri.
I pyetur se në kompetencën e kujt është të vendos për vendin ku do të kryhet ekspertiza, Ministri ka thënë se për këtë sërish vendos prokurori i rastit.
“Rekomandimet e Kuvendit kanë qenë me qenë një shtet i BE’së ose në SHBA, kërkesa e familjes është që të bëhet në Zvicër, tash normalisht që vendos Prokuroria, ata vendosin saktësisht se ku duhet të bëhet, cilin institut e caktojnë. Ne nuk mundemi me imponu sepse organi i akuzës është organ i pavarur”, ka shtuar Tahiri.
Ndërkohë të kontaktuar përmes postës elektronike, Prokuroria Themelore e Prizrenit nuk janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës nëse kanë nisur procedurat për ekspertizën.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, vdiq pasditen e 5 nëntorit të vitit 2016 në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai ishte në paraburgim që nga 30 gushti i atij viti, kur ishte arrestuar nga Policia si i dyshuar për sulmin në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 3 nëntor kishte ndarë 50 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për ekspertizë shtesë jashtë vendit për vdekjen e Astrit Deharit.
Ndërkohë në dhjetor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë e cila hapte mundësinë për një investigim të pavarur ndërkombëtar për shkaqet e vdekjes së Astritit. Atëherë Kuvendi pati rekomanduar SHBA’në apo ndonjë vend të Bashkimit Europian, ku do të mund të bëhej ekspertiza.
Nga raporti i autopsisë kosovare, i bërë menjëherë pas vdekjes së Deharit, rezultoi se vdekja e të ndjerit kishte ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike (mbyllja ose bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes), si pasojë e dëmtimeve të vetë shkaktuara, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme. Por, një raport të tillë nuk e kishte pranuar familja Dehari, duke e quajtur jo kredibil.
Këshilli i Sigurisë me masa për sigurinë pas shpërthimit në ...
Parashikimi i motit në Shqipëri, ulen temperaturat, vranësir...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Sigurohet furnizimi i rregullt me rrymë për vendin dhe ngroh...
Mundësohet furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali ...
Shpërthimi në Ibër Lepenc/ Policia rrit masat e sigurisë, pë...