Lidhur me rastin e ngritjes së gatishmërisë luftarake të Ushtrisë së Serbisë, ministri serb i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviq, më 26 maj, ka thënë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) se ushtria është duke u dislokuar në pozicione drejt kufirit me Kosovën.
Ai tha se ushtria “i merr pozitat e saj, të cilat, në dokumentet ushtarake, janë të specifikuara si pozicionet e Ushtrisë së Serbisë, në situata të tilla”.
Në deklaratën e tij, Vuçeviq e quan kufirin me Kosovën “vijë administrative”, sepse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Më 26 maj, Policia e Kosovës hyri në ndërtesat komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe më pas Leposaviqit – komuna të banuara me shumicë serbe – përkundër rezistencës së një grupi të qytetarëve.
Policia njoftoi se në këtë mënyrë po i ndihmon kryetarët e rinj të komunave të veriut të Kosovës që të kenë qasje në objektet zyrtare të atyre komunave, pasi një ditë më parë kanë bërë betimin.
Këto zgjedhje u bojkotuan nga komuniteti serb në veri të Kosovës.
Për shkak të zhvillimeve të së premtes në veri të Kosovës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë.
Vuçeviq vlerësoi se “është duke u zhvilluar përpjekja për të pushtuar të gjitha komunat në veri të Kosovës nga të ashtuquajturit liderë komunalë, absolutisht jolegjitimë dhe të zgjedhur ilegalisht”.
Ai shtoi se reagimi i KFOR-it (Misioni i NATO-s në Kosovë) dhe EULEX-it (Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit) ishte i butë.
“Ushtria e Serbisë është në kontakt me KFOR-in dhe ne presim që KFOR të jetë shumë më i përfshirë në terren”, tha ai për RTS-në.
Vuçeviq tha se Serbia do të gjejë një “përgjigje adekuate, para së gjithash politike” për situatën.
“Nuk përjashtoj as ndonjë përgjigje tjetër që do të jetë adekuate për rrezikun që i kanoset vendit tonë dhe qytetarëve tanë”, tha ai.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të premten, dënoi veprimin e autoriteteve kosovare për qasje në ndërtesat komunale në veri të vendit.
“Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Twitter./rel
Shpërthimi i gripit të shpendëve/ Austria shpall gjithë vend...
Anulohet televotimi i së hënës për shkak të zhvillimeve në s...
Goditet grupi i trafikut ndërkombëtar të drogës në Itali, “m...
SBASHK-u paralajmëron Qeverinë dhe MASHTI-n: Së shpejti do t...
Balluku: Diskutimet për ndërtimin e bazës së NATO-s në Porto...
Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj 24 zyrtarëve policor...