Google ADS

Ministri Rikallo, është gati të shkarkohet nga Haradinaj

17:24 | 8 Janar 2019
Arbresh.info

Rikallo, ka kohë që nuk është duke dalë në punë. Por përkundër kësaj, ai, po i gëzon benefitet financiare nga buxheti vendit. Duke nisur nga ky injorim, bëhet e ditur se, atij do t’i kushtoj me largim nga detyra. E kjo, pritet të ndodh jo më larg se gjatë kësaj jave, transmeton Gazeta inFokus.

Ka nëntë muaj që nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të Qeverisë, megjithatë, Nenad Rikallo, tërë këtë kohë ka qenë në krye të njërës nga ministritë më të rëndësishme, e ka marrë pagë nga buxheti, pavarësisht se daljet në punë e në aktivitete i kishte të rralla.

Ky injorim që kishte bërë vetëm në paraqitje, e jo kur vinte puna te beneficionet financiare që ia sillte pozita po del t’i kushtojnë Rikallos me shkarkim, ani pse ky i fundit, nuk është hera e parë që u përfol për rrëzim nga pozita.

Burime brenda Qeverisë së Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se në këtë javë do të zyrtarizohet edhe shkarkimi tij, duke mos dhënë detaje se kush mund të vijë në krye të kësaj ministrie.

Vendimi për shkarkimin pritet të merret në Qeveri në mbledhjen e ardhshme nga i pari i ekzekutivit.

Në Ministrinë e Bujqësisë, duke mos dashur të flasin me emra kanë thënë se edhe vetë ministri e kishte ditur se do të shkarkohet madje edhe kishte kohë që i kishte rralluar paraqitjet e tij në vend të punës deri në javët e fundit kur edhe nuk ka shkuar në punë fare.

Për shkarkimin e ministrit të Bujqësisë ka folur gjatë ditës edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj u deklarua se ai do të shkarkohet kur t’i vjen radha.

“Kur ti vjen reni edhe atij e hjekim, pse jo”, deklaroi shkurtimisht Haradinaj.

Shkarkimi i tij do të jetë edhe një nga kushtet e PSD’së drejtuar pozitës për votim të buxhetit, në rast se duan të shmangin një bllokadë buxhetore, pasi që projektbuxheti ka kaluar në Kuvend vetëm në lexim të parë.

Lista serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, pati vendosur për largim na qeveria e Haradinajt në mars të vitit që shkoi, pas aksionit që ndodhi në veri me rastin “Gjuriq”.

Rikallo bashkë me zëvendëskryeministrin Dalibor Jevtiq dhe ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Tedosijevic që nga atëherë kanë marrë goxha para nga kuleta e shtetit. Të tre bashkë buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar 65 mijë euro.

Këtij bojkoti të institucioneve kosovare më vonë do t’iu bashkoheshin edhe dhjetë deputetët e Listës që nuk morën pjesë në seanca të Kuvendit të Kosovës nga nëntori i 2018’tës, këta të fundit si shenjë revolte për taksën.

Edhe këta i kanë kushtuar buxhetit gati 15 mijë euro. Megjithatë, nuk është hera e parë kur emri i Rikallos u përfol për shkarkim, gjatë punës së ministër ai më së miri mbahet mend te puna e lirimit nga detyra.

Hera e parë kur ministri i Bujqësisë u bë temë nëpër media qe në vitin 2017’të kur i njëjti dyshohej për krime gjatë luftës në Kosovës, pas disa akuza që i vinin nga banorë të lagjes Dardania në Prishtinë.

Sipas tyre, ministri Rikallo kishte torturuar shumë banorë të Prishtinës gjatë viteve të 90’ta e sidomos gjatë kohës së luftës.

Ata rrëfenin se ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo, torturonte qytetarët i veshur me uniformë e i armatosur.

Atë kohë pati reagime të shumta, madje, për këtë ishte mbajtur edhe një seancë e Kuvendit të Kosovës, nga ku kryeministri Haradinaj kishte deklaruar se nuk ka marrë asnjë informacion se Rikallo ka kryer dhunë ose tortura ndaj shqiptarëve.

Ata që monitorojnë Kuvendin thonë për Express se edhe në bazë të Kushtetutës specifikohet se duhet të ketë së paku një ministër serb në Qeveri, por, jo se si mund të shkarkohen ata.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës specifikon se në Qeveri duhet të jetë së paku një ministër nga Komuniteti Serb, por nuk jep specifika të tjera lidhur me emërimin apo shkarkimin e ministrave. Në përgjithësi, në Kosovë Kryeministri i vendit e ka në diskrecion emërimin dhe shkarkimin e ministrave individualisht, pra nuk është e nevojshme vota e Kuvendit për emërimin ose shkarkimin e ministrave individualisht”, sqaron Artan Murati nga KDI.

Megjithatë, sipas tij, çështja e Rikallos është e komplikuar pasi që Lista Serbe veçse është duke e bojkotuar punën dhe në këto raste edhe emërimi i ri do të duhej të vinte nga i njëjti subjekt politik.

“Çështjen e Rikallos e komplikon në masë të madhe pozicioni i Listës Serbe, pra de jure pjesë e koalicionit por de facto duke bojkotuar punën. Parimisht, në këso raste, ministri/ministrja e radhës do të duhej të vinte nga i njëjti subjekt politik”, shton ai.

Kjo, sipas Muratit do të ndryshonte nëse koalicioni qeverisës ka një marrëveshje politikisht të pranueshme për subjektet politike në koalicion.

“Megjithatë, e përsëris prap se formacioni qeverisës është në diskrecion të Kryeministrit, ose në rastin tonë të koalicionit qeverisës, dhe nëse ka marrëveshje politike të pranueshme për të gjitha subjektet në koalicion atëherë pozita e ministrit të bujqësisë mund të përmbushet edhe nga tjetër kush, nga subjekte tjera”, përfundon ai.

Rikallo së fundmi u pa shumë aktiv në protestat që u organizuan në veri të vendit si kundërshtim ndaj taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Aty mbajti edhe fjalime me anë të të cilave dërgonte porosi se nëse taksa nuk hiqet mund të ndodhë një “katastrofë humanitare”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme