Ministri Reka takon ambasadoren suedeze, kërkon mbështetjen e këtij shteti në proceset integruese

15:34 | 13 Mars 2020
A. B.

Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka priti sot në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, me të cilën diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona dhe prioritet me agjendën evropiane.

Reka, vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë si në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, ashtu edhe në anëtarësimin në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Ministri Reka i bëri thirrje ambasadores Hernmarck që kjo përkrahje të vazhdoj dhe të jetë më e strukturuar në mënyrë që edhe ndikimi të jetë më i madh në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE dhe sidomos në liberalizimin e vizave.

Ai tha se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për të pranuar liberalizimin e vizave, prandaj edhe zëri përkrahës i Suedisë do të ishte mëse i mirëseardhur në këtë kohë, posaçërisht duke pasur në mëndje samitin që do të mbahet në Zagreb në muajin Maj.

Ndërkaq, ambasadorja Hernmarck vëri në pah përkushtimin dhe entuziazmin e Kosovës për të avancuar sa më shumë me agjendën evropiane dhe shpreson që periudha në vijim do të jetë në anën e Kosovës për të konkretizuar si lëvizjen e lirë për qytetarët ashtu edhe avancimet me MSA-në dhe ERA.

Po ashtu, ambasadorja theksoi se Suedia do të mbështesë arritjen e aspiratave të qytetarëve të Kosovës drejt familjes evropiane.

Njëkohësisht ritheksoi se Suedia, qëndron krah qytetarëve të Kosovës në rrugën drejt integrimit në BE.

Në fund, ajo theksoi se së shpejti do të mbahet takimi vjetor në mes të Suedisë dhe Republikës së Kosovës si dhe se janë në përgatitje të Strategjisë së re që adreson reformat për bashkëpunim./arbresh.info/

Të ngjashme