Ministri Reçica në Bullgari, pritet nga homologu i tij Petkov

19:10 | 22 Mars 2018
Arbresh.info

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, u prit sot në një takim në Sofje nga homologu i tij bullgar, Biser Petkov, të cilin e ka njoftuar me procesin e integrimit evropian të vendit tonë.

Ai me këtë rast tha se Kosova tashmë ka hartuar një Plan Veprimi për zbatimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

“Në kuadër të këtij plani, MPMS ka disa obligime të cilat lidhen me Punën dhe Punësimin dhe Mirëqenien Sociale. Një ndër këto obligime është hartimi i një Strategjie Sektoriale së bashku me Planin e Veprimit. si dhe hartimi i Planit të Veprimit për punësimin e të rinjve, dokumente të cilat tashmë janë miratuar në Qeveri. Në kuadër të Strategjisë Sektoriale janë paraparë një sërë reformash duke u nisur nga reforma e ligjit të Punës, reforma pensionale, reforma e skemave sociale dhe aftësisë së kufizuar, Ligji për Këshillin Ekonomiko-Social”, tha ministri Reçica.

Nga ana e tij, ministri Petkov theksoi se një ndër objektivat kryesore të Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale është të përmirësojë kualitetin dhe sigurinë e punës, nëpërmjet mbrojtjes së të drejtave sociale të personave dhe tregoi gjithashtu se janë duke punuar në përmirësimin e legjislacionit rreth sigurimeve sociale.

Te dy ministrat u pajtuan për të thelluar bashkëpunimin në këtë fushë, pasi është një ndër fushat më të rëndësishme dhe në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve por edhe në fusha tjera, me qëllim të shkëmbimit të përvojave.

Me këtë rast, ministri Reçica ftoi Petkov për një takim bilateral në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme