Google ADS

Ministri Peci: Me projektin e ri bujqësor prej 20.2 milionë euro do ta fuqizojmë agroturizmin dhe ekoturizmin

15:51 | 21 Tetor 2024
E.G

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes projektit madhor dhe transformues, të realizuar në partneritet me Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in, me një investim prej 20.2 milionë euro synon fuqizimin e sektorit të agroturizmit dhe ekoturizmit, duke sjellë përfitime të mëdha për fermerët, sipërmarrësit dhe komunitetet rurale.

Sipas njoftimit, ky projekt madhor sot është prezantuar nga Ministri i BPZhR-së, Faton Peci në ceremoninë e hapjes së Panairit Bujqësor dhe të Energjisë së Ripërtëritshme “Agrirenew 2024”, që është duke u mbajtur në Prishtinë, shkruan Arbresh.info.

“Sot kam kënaqësinë të prezantoj një projekt madhor dhe transformues, i realizuar në partneritet me Qeverinë Gjermane dhe GIZ, me një investim prej 20.2 milionë euro. Ky projekt është rezultat i një marrëveshjeje të ratifikuar në Kuvend, e cila për herë të parë në historinë e Ministrisë së Bujqësisë ka mundësuar një bashkëpunim të tillë strategjik dhe të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit”, ka thënë Peci.

Në kuadër të këtij projekti, Ministri ka treguar se skema është e strukturuar në tre lote të veçanta duke synuar përfshirjen e gjerë dhe ofrimin e mundësive për të gjitha nivelet e përvojës dhe kapaciteteve.

Skema e parë e grantit është e fokusuar te projektet në shkallë të vogël dhe grantet në këtë kategori janë deri në 5,000 euro, të cilat përfshijnë materialin dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve si dhe trajnim për përdorimin e tyre.

Skema e dytë e grantit është e destinuar për përfituesit që kanë më shumë përvojë në menaxhimin financiar dhe teknik, dhe që synojnë të zgjerojnë ose diversifikojnë aktivitetet e tyre bujqësore. Grantet për këtë kategori janë nga 5,000 deri në 50,000 EUR, duke përfshirë gjithashtu pajisje dhe materiale për investime, mbështetje teknike dhe trajnim.

Skema e tretë e grantit është e përqendruar në përfituesit që do të kenë një ndikim të gjerë në stimulimin e ekonomisë lokale dhe grantet në këtë kategori variojnë nga 50,000 deri në 350,000 EUR dhe janë të destinuara për fermat e mesme dhe të mëdha, ndërmarrjet përpunuese dhe qendrat e grumbullimit të produkteve.

Krahas këtij projekti, ai ka treguar se gjatë mandatit të tij u ka dhënë prioritet investimeve përmes projekteve të granteve, duke integruar energjinë e ripërtëritshme si një kriter të detyrueshëm në secilën masë. Vetëm në dy vitet e fundit, ai tregoi se kanë instaluar 4,276.4 KË me panele fotovoltaike për 951 fermerë dhe vlera totale e investimit arrinë vlerën prej rreth 50 milionë euro.

Ndryshe, Panairi Bujqësor dhe i Energjisë së Ripërtëritshme “Agrirenew 2024” është organizuar nga MBPZhR-ja në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe GIZ-in gjerman./Arbresh.info/

Të ngjashme