Google ADS

Ministri paralajmëron se nuk do të jetë më pjesë e Qeverisë

08:21 | 19 Dhjetor 2019
Arbresh Info

Ministri në detyrë i Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar, ka thënë se nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme.

Ai në një intervistë për EO tha se do të japin kontributin e tyre në institucione dhe do të jenë pjesë e misionit për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Yagcilar tha se do të angazhohen për përforcimin e statusit dhe integrimit të komunitetit turk në Kosovë.

“Nuk besoj që do të jem pjesë e Qeverisë, por në njëfarë mënyre besoj që do të jemi pjesë e institucioneve ku e kemi kryer një përvojë të mirë e cila bazohet në shumë vite edhe si ministër, por edhe si deputet. Sidoqoftë ne jemi njëfarë mënyre në misionin të ndërtojmë shtetin e Kosovës, të ndihmojmë në integrimin dhe përforcimin e komunitetit, në këtë rast të komunitetit turk, në këtë aspekt edhe nëse jemi ose nuk jemi brenda institucioneve do të jemi të angazhuar që të realizojmë përforcimet nga aspekti i shtetndërtimit dhe përforcimit të statusit dhe integrimit të komunitetit turk”, ka thënë Yagcilar.

Ai beson që shpejt do të formohet koalicioni LDK-VV në mënyrë që të krijohet stabiliteti shtetëror dhe institucional.

“Është e rëndësishme të formohet një koalicion që do të udhëheqë Kosovën në katër vitet e ardhshme, të krijohet një stabilitet shtetërorë dhe institucional, në këtë aspekt besoj që do të formohet dhe puna do të vazhdohet. Kosova ka punë dhe obligime tjera jo vetëm në arenën e brendshme, por edhe në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Yagcilar tha se nuk duhet të humbet kohë dhe në afat sa më të shpejt duhet të formohet Qeveria.

“S’duhet të humbim kohë, sa më shpejt të formohet Qeveria dhe të punohet, aspekti i Administratës Publike të vazhdon me ato reforma të cilat i kemi filluar në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe ajo që është e rëndësishme do të jetë edhe funksionalizimi dhe rishikimi i Agjencive të ndryshme në kuadër të Qeverisë dhe jashtë Qeverisë. Do të jetë një sfidë siç ka qenë për Qeverinë aktuale, do të jetë edhe për Qeverinë e ardhshme, por do të jetë një sukses në rrugën dhe zbatimin e reformave edhe nga aspekti i zbatimit të MSA-së”, tha ai.

Të ngjashme