Edhe pse ka më shumë se dy vjet që Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi është nënshkruar, Kosova ende nuk e ka ratifikuar atë. Si pasojë kosovarët vazhdojnë të mbesin populli i vetëm i izoluar në rajon pa liberalizim vizash.
Mirëpo, për vonesat në implementimin e kësaj marrëveshjeje dhe izolimin e kosovarëve Mali i Zi thotë se fajtorë nuk janë ata.
Ministri i Integrimit Evropian i Malit të Zi, Aleksandar Andrija Pejoviq, në një intervistë të shkurtër dhënë gazetës “Zëri”, në Dubrovnik, ka thënë se Mali i Zi nuk ka kurrfarë problemi sa i përket kësaj marrëveshjeje, për këtë arsye edhe ka kohë që e ka ratifikuar atë në parlamentin e saj.
“Mali i Zi nuk ka kurrfarë problemi sa i përket kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Pejoviq.
I pyetur nga “Zëri” rreth deklaratave të kandidatit për kryeministër të koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, se kjo marrëveshje nuk do të kalojë në formën në të cilën është dhe si e sheh mënyrën e përfundimit të kësaj çështjeje, Pejoviq është shprehur i rezervuar. “E di, mirëpo nuk mund të flas për këtë pasi që kjo është një çështje politike e brendshme e Kosovës”, ka thënë ai.
Ministri malazez është shprehur i rezervuar edhe rreth mundësisë së rinegocimit të kësaj marrëveshjeje pasi të formohen institucionet e reja në Kosovë.
“Kjo është një pyetje për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Realisht unë nuk mund ta komentoj këtë”, ka thënë ai. Megjithatë, ai nuk është shprehur i rezervuar sa u përket marrëdhënieve në mes të dyja vendeve. Sipas tij, ato janë të mira.
“Mund të them se marrëdhëniet në mes të dyja vendeve janë të mira. Kemi nënshkruar një numër marrëveshjesh dhe kemi nisur bashkëpunimin në praktikë”, ka thënë ai, duke treguar detaje të finalizimit të një projekti konkret mes dy shteteve.
“Edhe sot kemi folur me ministren Mimoza Ahmetaj për finalizimin e një marrëveshjeje në mes të dyja shteteve për krijimin e një komiteti të përbashkët, i cili do të merrej me shkëmbimin e eksperiencave mes dy vendeve. Mali i zi do të mundë t’i jepte Kosovës eksperiencat e saj sa i përket IPA-së, përdorimin e fondeve e po ashtu edhe krijimin e një sistemi me kolegët në Prishtinë”, ka thënë Pejoviq.
Në këtë kontekst ai ka treguar se çdo muaj zyrtarë nga Prishtina shkojnë në Podgoricë për t’u njohur me praktikat e punës atje. “Çdo muaj ne tashmë kemi dikë nga Prishtina që vjen në Podgoricë për të diskutuar se si ne i bëjmë gjërat, praktikat tona, ata ulen me kolegët tanë në Ministri. Pra, ka shumë mundësi praktike për bashkëpunim dhe kjo është shumë e mirë”, ka përfunduar Pejoviq.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?