Ndërsa në Tiranë duket se i kanë marrë me qetësi hetimet për çështjen “Habilaj” nuk ndodh e njëtja gjë te autoritetet italiane të cilat janë angazhuar maksimalisht për të çmontuar deri në rrënjë këtë grup të fuqishëm kriminal të trafikut të drogës. E konfirmon këtë pikësëpari hetimi i gjatë dhe serioz i prokurorisë së Katanias dhe më pas angazhimi deri në ministrinë e Brendshme të Italisë për të sjellë në Tiranë të dhëna për çështjen.
Në 3 nëntor mbërriti në Tiranë vetë ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minitti. Ai pati një takim të gjatë dhe kokë më kokë me homologun shqiptar Fatmir Xhafaj. Më pas u ndal shkurt te Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe e mbylli vizitën me një fjalë kortezie në takimin e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve ku u fol për misionet e monitorimit ajror në luftën anti-kanabis. Asnjë takim tjetër në axhendën e tij. As kryeministri dhe as drejtori i përgjithshëm i policisë siç duhet të ndodhte normalisht në një vizitë të këtij niveli.
Burime të besueshme të lapsi.al thanë se zyrtari i lartë i qeverisë kishte ardhur në Tiranë me një axhendë të qartë. Në krye të saj ishte dosja voluminoze për grupin e “Habilajve” për shkak të lidhjeve të tyre të fuqishme me policinë e shtetit dhe politikën. Të njëjtat burime thanë se ministri Minitti la në tavolinën e Xhafajt një dosje voluminoze me emra policësh të dala nga përgjimet e prokurorëve të Katanias.
Kur ka kaluar më shumë se një muaj autoritetet shqiptare janë treguar të ngadalta në hetimet e tyre. Në dosjen e italianëve besohet se ishin listuar të paktën 40 emra policësh të përfshirë në trafik drogë, por asgjë nuk ndodhi. Edhe pse Prokuroria e Krimeve të Rënda nxori urdhër-ndalim për 3 zyrtarë të lartë të policisë së Vlorës ata patën mundësi të arratisen dhe sot e kësaj ditë të mbeten të lirë. Zëra në policinë e shtetit thonë se arratisja e ish-zyrtarëve të policisë Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode nuk është pritur mirë nga partnerët.
Në dritën e kësaj çështjeje doli edhe një listë e përpiluar nga Shërbimi Informativ Shtetëror që vendoste në “rreth të kuq” emrat e 127 efektivëve të policisë në të gjithë vendin të dyshuar për lidhje me trafikun e kanabisit.
Sërish asgjë nuk ndodhi.
Kjo ngadalësi duket se ka alarmuar autoritetet italiane. Burime të besueshme thanë për lapsi.al se ditën e martë vjen në Tiranë një tjetër anëtar i qeverisë italiane. Ministri i Drejtësisë së Italisë, Andrea Orlando fluturon drejt Shqipërisë me një axhendë “blic”. Në listën e tij të takimeve deri tani mësohet se është vetëm ai me homologen shqiptare Eltida Gjonaj. Të njëjtat burime saktësuan se ministri italian do të kërkojë informacione për zhvillimin e hetimeve për dosjen e lënë në Tiranë nga kolegu i tij, ministri i Brendshëm Marco Minitti. Çfarë po ndodh me çështjen Habilaj dhe zyrtarët e policisë të përfshirë në trafikun e drogës? Deri tani ministri italian i Drejtësisë nuk ka në axhendën e tij asnjë takim me kryeministrin, apo kreun e policisë së shtetit.
Po pse kjo ngutje e italianëve?
Është e qartë se shetësimi për drogën që mbërrin nga brigjet shqiptare ka alarmuar autoritetet italiane deri në nivelet e saj të larta. Kjo vërtetohet nga angazhimi i fortë i qeverisë italiane me ministra të saj.
Në 11 korrik të këtij viti ministri i Brendshëm italian Marco Minitti informoi parlamentin dhe senatin se organizata mafioze “Cosa Nostra” po zhvillon aktivitet dhe në Shqipëri. Informacioni i dërguar në Parlament nga Ministri i Brendshëm Minitti është brenda Raportit 6 mujor të Hetimeve Anti-mafia.
Në faqen 65 të raportit në paragrafin për Shqipërinë përmendet: “Ende trafiku i drogës është sektori që ka lejuar, në këtë semestër, të kuptojë sinjalet e aktivitetit të COSA NOSTRA edhe në Shqipëri”. Ndërsa në faqen 207 të raportit mbi Hetimet Antimafia, ministri Minitti vë në dukje, se kanabisi prodhohet në pjesën jugore të Shqipërisë dhe transportohet në Itali me gomone dhe avionë, por janë parë edhe anije që në afërsi të brigjeve italiane shkëmbejnë drogë me motorë me ujë. Përvoja e grupeve shqiptare në trafikimin e lëndëve narkotike ka bërë që të kalojë në Italia, jo vetëm kanabis, por edhe kokaina e heroina, armët dhe njerëzit, shkruan lapsi.al.
Ndërsa Italia ka vënë alarmin, në Shqipëri mbetet gjithçka te fjalët e bukura dhe angazhimet në ekranet e televizioneve. Kjo duket se u shkon përshtat atyre që në prapaskenë shijojnë lirinë dhe vazhdojnë të dërgojnë gomone drejt Italisë.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...