Në ambientet e QKUK-së, sot është vënë gurthemeli i Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit dhe Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive të Kosovës. Në praninë e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka qenë vetë kampionia olimpike e Kosovës, Majlinda Kelmendi, ajo e cila ka vënë sot gurthemelin e kësaj qendre. Kjo qendër e cila i ka munguar Kosovës deri më sot, do të jetë një nga ndërtesat më moderne që do të ofrojë të gjitha shërbimet më profesionale për sportistët tanë.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në vënien e gurthemelit të kësaj Qendre, tha se ky është një hap i rëndësishëm për kujdesin ndaj atyre që po na bëjnë më së shumti krenarë, sikur Majlinda Kelmendi.
“Majlinda dhe sportistët tanë kanë qenë krenaria jonë për vite me radhë. Tani është koha që të ju tregojmë se ne si shtet kujdesemi për shëndetin e tyre. Kjo qendër do të ofrojë kushtet më të mira që sportistët tanë të kryejnë analizat e nevojshme mjekësore, si parakusht për rezultate kulminante”, ka thënë ministri Ismaili.
Ministri Ismaili u zotua se do të jetë personalisht ai i cili do të ndjekë nga afër punimet në këtë qendër me interes të madh për sportistët tanë, në mënyrë që punimet të përfundojnë me kohë.
Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, tha se qendrat e tilla kanë qenë më se të nevojshme që t’i kemi edhe në vend, pasi që përkujdesja ndaj shëndetit për sportistët është gjëja më themelore drejt suksesit.
“Ky është një lajm i mirë për të gjithë sportistët kosovarë pasi një qendër e tillë me të vërtetë na ka munguar. Unë kam pasur probleme disa herë nga viti 2015 dhe kam kaluar nëpër situata jo të lehta. Kjo qendër do të na ndihmojë shumë në rrugën tonë drejt suksesit”, ka thënë kampionia olimpike.
Në anën tjetër, edhe trajneri i mirënjohur, Driton Kuka, ka falënderuar ministrin Ismaili për këtë iniciativë.
“Falënderoj ministrin Ismaili që na ka ftuar në hedhjen e gurthemelit të kësaj Qendre. Për momentin, ky ka qenë lajmi më i mirë që kemi mundur ta marrim. Shpresoj që të gjithë të kuptojnë rëndësinë e kësaj Qendre dhe ajo të përfundojë me kohë”, ka thënë Driton Kuka.
Qendra e Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim do të kushtojë 4.8 milionë euro, me një sipërfaqe prej 6297 metrash katrorë. Ky projekt pritet të përfundojë brenda tri viteve.
Pas pranimit të federatave kosovare dhe Komitetit Olimpik të Kosovës në arenën ndërkombëtare, kjo Qendër do të lehtësojë punën e ekipeve dhe trajnerëve, por edhe të vetë sportistëve, që të arrijnë rezultate sa më kulminante, të mbrohen dhe të sanojnë lëndimet eventuale.
Në këtë Qendër do të bëhen të mundura kontrollet sistematike të sportistëve, lojtarëve të sporteve të ndryshme. Do të bëhen kontrolle për gjyqtarët e të gjitha sporteve të anëtarësuara në federata ndërkombëtare. Do të bëhen ekzaminimet e performancës për sportistë dhe testet fiziologjike.
Do të ketë reparte të ndara për ushtrime fizikale bashkëkohore, përfshirë vendin për fëmijë që aktualisht s’e kemi, e po ashtu për të rritur, sipas specifikave që kanë sëmundjet. Do të ketë edhe basene për hidroterapi dhe shumë shërbime të tjera për sportistët.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...