Ministri i Jashtëm: Sjelljes skandaloze të Serbisë po i vije fundit

18:46 | 6 Nëntor 2018
M. A.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se po i njofton vazhdimisht institucionet evropiane për sjelljen e Serbisë.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka shkruar se po vazhdon të shtrojë çështjen e sjelljes skandaloze të diplomacisë serbe përkitazi me propagandën dhe lajmet e rreme të regjimit jo demokratik në Serbi.

Më poshtë postimi i Pacollit:

Ka kohë që në vazhdimësi i informoj institucionet evropiane për sjelljen skandalozë të Serbisë dhe institucioneve të saj kundër lirive njerëzore dhe atyre ekonomike të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ka kohë që në të gjitha forumet, në të gjitha takimet, vazhdoj ta shtrojë çështjen e sjelljes skandaloze të diplomacisë serbe përkitazi me propagandën dhe lajmet e rreme të regjimit jo demokratik në Serbi.

Ka kohë që në vazhdimësi e përsërisë që kësaj sjellje skandaloze dhe anti-evropiane të Serbisë do t’i vie fundi, dhe se për gjithçka ka një pikë ku durimi prek fundin.

Pikërisht sot, me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e masave të importit ndaj Serbisë, ka mbaruar durimi. Pikërisht sot, ka filluar aplikimi i një qasje proporcionale, dhe nëse është nevoja edhe përshkallëzuese, përmes së cilës Serbia do ta kuptojë që për cilëndo sjellje të saj negative, dëmtuese, dhe cenuese ndaj Kosovës, do të ketë një çmim të cilin do ta paguaj fillimisht ajo.

Kjo praktikë vlen për tregti, për ekonomi, për drejtësi, për siguri, do të vlejë edhe për politikë të jashtme dhe diplomaci.

Të durosh është forcë, por të veprosh me durim është mençuri. Nga sot fillojnë masa specifike të veprimit me durim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme