Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë të martën se Serbia “është e gatshme” për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), duke shtuar se anëtarësimi i saj në bllok nuk duhet të kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve, Hina, ai tha se kushtëzimi i anëtarësimit të Serbisë në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është “i padrejtë” ndaj Beogradit, sepse “kjo gjë nuk varet vetëm nga Serbia”.
“Izolimi i Serbisë është taktika më e keqe e mundshme”, tha Szijjarto.
Kreu i diplomacisë hungareze tha se Serbia është “e gatshme të hyjë nesër në BE”, dhe se pa të, si vendi “më i madh dhe më i fortë” në Ballkanin Perëndimor “nuk ka stabilitet në bllok”.
Szijjarto e shpjegoi retorikën e shpeshtë antiperëndimore dhe antievropiane të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me një ndjenjë zhgënjimi për shkak të mungesës së përparimit drejt anëtarësimit, pavarësisht “kritereve të përmbushura”.
“Unë besoj se qasja e burokracisë nga Brukseli duhet të ndryshojë ndaj saj [Serbisë]”, tha ministri hungarez.
Serbia është kandidate për t’u bërë anëtare e BE-së prej vitit 2012, ndërsa bisedimet për anëtarësim i hapi në vitin 2014.
BE-ja paralajmëron rregullisht se shpejtësia e procesit të anëtarësimit të Serbisë në bllok do të varet nga përparimi i saj në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga Brukseli.
Szijjarto tha gjithashtu se projekti i BE-së nuk do të përfundojë derisa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të saj.
“Brukseli ka nevojë për rajonin [Ballkanin Perëndimor] më shumë se sa që i nevojitet rajoni”, tha ai.
Szijjarto njoftoi se gjatë presidencës së BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti, Hungaria do të theksojë përshpejtimin e këtij procesi, pasi “kjo do t’i japë BE-së freski dhe vrull të ri”./euronews.al
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë
Vrasja e dyfishtë në Gjakovë, ngritet aktakuzë ndaj dy të dy...