Ministri Gashi takohet me zyrtarin amerikan, flet për anëtarësimin në INTERPOL

16:37 | 16 Korrik 2018
Arbresh.info

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur në takim zëvendës-ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, të cilin e ka njoftuar lidhur me punën e institucioneve të sigurisë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në vend.

Në këtë takim u bisedua lidhur me çështjen e sigurisë dhe proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë do të vazhdojnë të luftojnë aktivitetet e jashtëligjshme në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin në Republikën e Kosovës”,  tha ministri Gashi.

Më pas, ministri Gashi i pohoi Marocco se Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu është e përkushtuar në luftimin e të gjitha llojeve të krimit të organizuar, duke përfshirë këtu edhe krimin trans-kufitar.

Në këtë drejtim, Ministri Gashi vlerësoi se anëtarësimi në INTERPOL tashmë është një domosdoshmëri për ofrimin e sigurisë jo vetëm në Republikën e Kosovës por edhe në rajon e më gjerë.

Në anën tjetër, zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe pohoi se është e nevojshme për një përkushtim më të madh në ruajtjen dhe ngritjen e nivelit të sigurisë në Kosovë.

Me këtë rast, ai u zotua se përkrahja e ShBA-ve në forcimin e mëtejmë të institucioneve të sigurisë në Kosovë do të vazhdojë edhe më tutje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme