Google ADS

Ministri Abrashi takon ambasadoren Mara Marinaki

13:36 | 3 Maj 2017
Arbresh.info

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi  sot priti në takim ambasadoren Mara Marinaki, Këshilltare Kryesore për çështje Gjinore dhe të Grave, Paqes dhe Sigurisë në Shërbimin për Çështje të Jashtme të BE-së. Pasi e falënderoi ministrin Abrashi për pritjen, ambasadorja Marinaki u interesua rreth përfaqësimit gjinor në institucionet e Kosovës, të drejtat dhe punësimin e grave, si dhe hapave të ndërmarrë për kompensimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ministri Abrashi, duke e falënderuar ambasadoren Marinaki për vizitën, i prezantoi para saj dhe delegacionit që e përcillte atë hapat e ndërmarrë nga ai për përmirësimin e pozitës së grave në tregun e punës. Abrashi në veçanti i theksoi Masat Aktive të Tregut të Punës të cilat një prej synimeve e kanë pasur adresimin e disbalanses në punësimin e grave dhe burrave, përmes subvencionimit të pagave për gratë deri në 12 muaj, grantet për vetëpunësim, trajnimet në punë, praktikat në punë, etj.

Ministri Abrashi gjithashtu i shpjegoi zonjës Marinaki hapat e ndërmarrë deri me sot për themelimin e Komisionit për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë, duke shpjeguar se që nga fundi i vitit të kaluar kur ky proces ka kaluar në kompetenca të MPMS-së janë kryer të gjitha veprimet ligjore dhe organizative për fillimin e punës së tij. Pas miratimit të tij nga qeveria e Kosovës javën e kaluar, Komisioni do të kalojë nëpër një proces trajnimesh për menaxhim të këtij procesi të ndjeshëm dhe pastaj hapet rruga për pranimin e aplikacioneve nga të mbijetuarat e dhunës seksuale, përfundoi Abrashi.

Ambasadorja Marinaki e falënderoi ministrin për punën e bërë duke theksuar që duket se jeni në rrugë të mbarë për realizimin e projekteve të juaja dhe ofroi mbështetjen e BE-së dhe Komisionit Evropian në këtë drejtim. Ministri Abrashi po ashtu e falënderoi Marinakin për përkrahjen e ofruar deri me sot nga BE-ja duke vënë në pah se shumë projekte janë realizuar me ndihmën e tyre./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme