Google ADS

Miniera e Artanës e mbyllur që nga incidenti ku humbën jetën dy punëtorë

10:05 | 7 Qershor 2020
L G

Të martën e 2 qershorit, dy punëtorë kanë humbur jetën në Minierën e Artanës.

E që nga ajo ditë në këtë minierë nuk është zhvilluar puna.

Ekipi i arbresh.info të premten ka qëndruar në minierë ndërsa aty gjithçka ka qenë e mbyllur.

Drejtuesi i mirëmbajtjes së elektromakinerisë në Minierën e Artanës, Riza Vrajolli ka konfirmuar për ndërprerjen e punimeve.

Ai në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se kjo është bërë për shkak të disa punimeve.

“Ne jemi duke bërë disa riparime pas aksidentit, kemi ndërprerë punën. Të enjten, inspektorati e ka dhënë një urdhëresë për ndalesë të punës, kur të përfundojnë punimet dhe rehabilitimi atëherë do të hapet për punë”, ka thënë ai.

Vrajolli ka thënë se nuk dihet kur do të rifilloj puna.

“Nuk e dimë ende sa do të zgjasin këto, të hënën do të fillojmë me riparime jo me prodhim”, ka përfunduar ai.

Ndryshe ditën që ndodhi incidenti MEPTINIS-i ka bërë të ditur se vdekja e dyfishtë ka ardhur pas shembjes shkëmbore në minierë.

“Shprehim keqardhje të thellë për fatkeqësinë e ndodhur sot, më 2 qershor, në minierën e Artanës ku kanë humbur jetën Idriz Gërbeshi dhe Haki Arifi. Idriz Gërbeshi ka qenë xehetar me banim në Hajvali, ndërsa Haki Arifi inxhinier i diplomuar i xehetarisë nga fshati Gllogovc, Komuna Lipjan. Ngjarja ka ndodhur me shembjen e papritur të masës shkëmbore në minierën Artana. Autoritetet e Republikës së Kosovës po angazhohen maksimalisht për t’u dalë në ndihmë të gjithë minatorëve dhe familjarëve të prekura”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MEPTINIS-it. /Agnesa Çitaku /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme