Mini-Schengeni: BE-ja mbështet secilën nismë që ndihmon bashkëpunimin rajonal

14:40 | 20 Shtator 2020
Arbresh.info

Bashkimi Evropian mbështet secilën nismë e cila ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Nëse ideja e asaj që është quajtur Mini-Schengen është kjo, atëherë edhe BE-ja e mbështet atë. Në BE përkujtojnë po ashtu se bashkëpunimi rajonal mes vendeve të rajonit, pos që është në interes të vetë këtyre shteteve, është edhe obligim nga procesi i Stabilizim-Asociimit.

Ajo që disa diplomatë të BE-së e shohin si problematikë është vetë emërtimi si Mini-Schengen, sepse nëse e marrin si shembull zonën Schengen në kuadër të BE-së, ka shumë dallime në qasje. Schengeni në BE është hapësira e lëvizjes së lirë të njerëzve, pa pasur nevojë të ndalen në kufij. Madje vetë brenda BE-së ka shtete të cilat nuk janë në Schengen. Disa nuk janë pranuar ende, si Kroacia, Rumania dhe Bullgaria dhe disa të tjera nuk kanë dashur, si Irlanda e deri vonë sa ishte anëtare e BE-së edhe Britania e Madhe. Ka edhe shtete të cilat nuk janë anëtare të BE-së e janë në Schengen, si Zvicra, Norvegjia dhe Islanda. Liria e lëvizjes së mallrave, që e kanë shprehur shpesh si qëllim të Mini-Schengenit presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në BE rregullohet përmes tregut unik të BE-së.

Ka edhe diplomatë të BE-së, të cilët e shohin këtë nismë si një mundësi që vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e marrë shembullin e BE-së, të rrisin bashkëpunimin e tyre dhe të zvogëlojnë barrierat tregtare. Por kjo nuk do t’u ndihmojë për t’u anëtarësuar në BE në ndonjë mënyrë direkte, pasi integrimi në BE vazhdon të jetë një proces i cili varet nga meritat individuale të shteteve të rajonit në përmbushjen e kritereve të nevojshme.

Madje një ditë kur ndonjë shtet i rajonit të bëhet anëtar i BE-së do të duhej të dilte nga çfarëdo nisme rajonale tregtare apo e lëvizjes së lirë. Sepse vendet anëtare të BE-së nuk kanë të drejtë të jenë zona të tilla jashtë territorit të Bashkimit Evropian. Por pasi integrimi në BE për shumë vende të rajonit duket si shumë i largët, atëherë edhe bashkëpunimi më i ngushtë gjithëpërfshirës në rajon do të ishte një mundësi e mirë për të përfituar pa pritur anëtarësimin në BE. Bashkimi Evropian pritet që së shpejti të dalë edhe me një plan të veçantë të investimeve në rajonin e Ballkanit, e ai po ashtu do të ketë për qëllim që të nxisë bashkëpunimin rajonal.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor tashmë ka shumë nisma për bashkëpunim rajonal, nga CEFTA deri tek Këshilli i Bashkëpunimit rajonal. Po ashtu Gjermania në bashkëpunim me disa shtete të tjera anëtare ka nisur edhe Procesin e Berlinit. Synimi i tyre është rritja e stabilitetit përmes bashkëpunimit rajonal, zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes ekonomike. Por për suksesin e të gjithave, thonë në BE, është parakusht që të ketë vullnet politik dhe gatishmëri për zgjidhjen e mospajtimeve në mënyrë paqësore. Nga kjo, thonë në BE, do të varet edhe suksesi i nismave, çfarë është ajo të cilën e kanë pagëzuar si Mini-Schengeni Ballkanik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme