Google ADS

Minatorët nga Shqipëria, SHBA solidarizohen me minatorët kosovarë

21:28 | 21 Tetor 2024
E.G

Hallet e minatorëve të Trepçës i kanë dëgjuar sot edhe sindikalistët e minatorëve përtej oqeanit. Në një konferencë të mbajtur sot për sindikalizmin dhe të drejtat e punëtoreve, minatorët e Trepçës ngritën zërin për përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurimin e një page që reflekton dinjitet. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin dhe përfaqësues të sindikatave të minatorëve nga Shqipëria, Amerika dhe Australia të cilët shprehën mbështetjen e tyre për minatorët e Kosovës.

Në konferencën e minatorëve të mbajtur sot, u diskutua sindikalizmi dhe gjendja e punëtorëve të minierës së Trepçës, si dhe u theksuan sfidat e shumta me të cilat ballafaqohen minatorët.

“Ne e mbajtëm një takim, dua t’ju njoftoj për takimin ku edhe i njoftuam për sfidat e sindikalizmit në Kosovë për periudhën e vështirë si sindikata nëpër të cilën po kalojmë në mungesë të dialogut social dhe mostrajtimi i kërkesave të të gjithë minatorëve në Republikën e Kosovës që për ne dhe gjithë kolegët e mi që jemi, ne, minatorët, është shqetësuese një trajtim i tillë nga qeveria e vendit”, tha Ibrahim Januzi, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës.

Përfaqësues të Sindikatës së Minatorëve nga Shqipëria, Amerika dhe Australia ishin të pranishëm dhe shprehën solidaritetin e tyre me minatorët kosovarë, duke theksuar se bashkimi sindikal dhe veprimi kolektiv janë çelësi për përmirësimin e kushteve të punës.

” Unë, personalisht, në takimin e zhvilluar në Trepçë i kam deklaruar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe i bëj apel nga ky takim që po zhvillohet që të mbajë angazhimin dhe premtimet për minatorët e Trepçës dhe për gjithë minatorët e Kosovës, dhe gjithashtu të rregullojë çështjen e pagave të minatorëve të Kosovës”, tha Gëzim Kalaja, kryetari i bashkimit të sindikatave të pavarura të Shqipërisë.

“Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se për kë po flasim sot këtu, këta janë njerëz që e vënë jetën në rrezik çdo ditë, këta njerëz duan të kenë mundësi të punojnë në mënyrë të sigurt dhe të kthehen te familjet e tyre në fund të ditës”, tha Fill Smith, asistent ekzekutiv i presidentit të Sindikatave të Bashkuara të Minatorëve të SHBA – ve.

“Është tani detyrë për ne për t`i përcjellë të gjitha këto shqetësime që kanë minatorët këtu, te institucionet më të larta të qeverisë australiane, përfshirë këtu edhe ambasadën e Kosovës në Australi”, tha Steve Smaith – përfaqësues i sindikatës së minierës dhe energjetikës në Australi.

Në konferencë u diskutua për rëndësinë e dialogut me institucionet e Kosovës dhe nevojën për mbështetje më të madhe për minatorët, përfshirë investimet në infrastrukturën e minierave dhe sigurimin e pagave që respektojnë dinjitetin e punëtorëve dhe sakrificat e tyre./rtk

Të ngjashme