Minatorët e minierës së Trepçës në Stantërg, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të fillojë së zbatuari Ligjin për kombinatin dhe të krijojë kushte më të mira të punës për ta.
Isuf Beqiri, minator në minierën e Stantërgut që prej vitit 1978, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përveç moszbatimit të Ligjit për Trepçën, ata po përballen edhe me kushte të vështira të punës.
Sipas tij, minatorët e Trepçës janë të harruar nga institucionet e Kosovës dhe se nuk po punohet asgjë në krijimin e kushteve më të mira për ta.
“Nuk është bërë asgjë për neve minatorët. Një ligj që është bërë nuk ka filluar të zbatohet akoma. Gjendja e minatorëve është e vështirë, nuk kemi as sigurime shëndetësore, që nga pas lufta nuk kemi asgjë. Qeveria e Kosovës duhet të marrë masat për përmirësimin e kushteve të minatorëve”, thekson Beqiri.
Minatorët e kompleksit metalurgjik Trepça, të hënën kanë filluar shënimin e 28 vjetorit të grevës së minatorëve, që u zhvillua në mbrojtje të autonomisë së Kosovës në kuadër të ish Jugosllavisë.
Lidhur me zbatimin e Ligjit për Trepçën, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në tetorin e vitit të kaluar, minatorët e Trepçës dhe udhëheqësit e këtij kompleksi metalurgjik thanë se autoritetet e vendit kanë treguar neglizhencë.
Më 7 tetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, me të cilin mëtohet të rimëkëmbet dhe rivitalizohet ndërmarrja.
Por, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Trepçën, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të krijojë ende Bordin mbikëqyrës të Trepçës, në mënyrë që të mund të fillohet me zbatimin e ligjit.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci, i pati thënë Radios Evropa e Lirë se që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Trepçën, ka gjashtë muaj afat për të themeluar Bordin për Trepçën.
“Bëhet fjalë për një ndërmarrje, e cila do të jetë në pronësi të qeverisë, prandaj edhe nuk është gjë e lehtë dhe e thjeshtë zgjedhja e bordit dhe e strukturave të tjera për këtë çështje”, kishte thënë Stavileci.
Ndërkohë, ish drejtori i Trepçës Halil Qela në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e quan të pakuptimtë mos zbatimin e Ligjit për Trepçën.
Ai thotë se pavarësisht që Ligji për Trepçën ia ndërron pronësinë kompleksit Trepça, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek ekzekutivi, Trepça vazhdon ende në disa gjëra të caktuara të menaxhohet nga AKP-ja dhe jo Qeveria e Kosovës.
“Fatkeqësisht sot e festuam 28 vjetorin në një kohë kur Ligji për Trepçën është miratuar, por që nuk është duke u zbatuar. Kjo është absurde. Kemi pritur që këtë përvjetor të grevës ta shënojmë me një bord profesionist siç e parasheh Ligji, me rezultatet e para të ligjit që e kemi kërkuar një kohë shumë të gjatë, por kjo nuk ka ndodhur”, thekson Qela.
Sipas Ligjit, qeverisja për Trepçën bëhet nga Bordi Mbikëqyrës dhe Bordi Menaxhues.
Bordi Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, të cilët nuk mund të jenë anëtarë të forumeve politike, por që duhet të jenë ekspertë në fusha të caktuara, që nevojiten për mbikëqyrjen e kombinatit. Ky bord më pas zgjedh edhe anëtarët e Bordit Menaxhues të Trepçës.
Edhe statuti i Trepçës hartohet nga Bordi Mbikëqyrës dhe miratohet nga aksionarët.
Ndërkohë, drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, kërkon nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt të themelohen bordet mbikëqyrëse në mënyrë që të fillohet sa më shpejt me rimëkëmbjen e kombinatit Trepça.
“Jemi në kontakt tëpërhershëm më Qeverinë e Kosovës dhe ata janë zotuar që sa më shpejt që është e mundur të formohen këto organe që do të bëjmë zbatimin e ligjit. Edhe pse më hyrjen në fuqi të Ligjit ne mbikëqyremi nga Qeveria e Kosovës”, thekson Tmava për Radion Evropa e Lirë.
Trepça llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e tetëdhjeta, në Kombinat punonin mbi 20 mijë punëtorë. Ndërkaq, vitet e fundit, ajo e kaloi fazën e mbijetesës dhe nuk numëronte më shumë se 1,400 punëtorë. (REL)
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...