Çaji me limon, kafeja e mandarinat, janë produktet që konsumohen më së shumti nga kosovarët gjatë dimrit.
Madje vetëm që t’i kenë këto produkte në tryezat e tyre, ata shpenzojnë miliona euro në vit.
Për dy vite në Kosovë kanë hyrë 27 milionë kilogram mandarina dhe limonë, vlera e të cilave kap shifrën prej 10.9 milionë euro.
Se qytetarët e shtetit më të varfër në Evropë i kanë konsumuar shumë këto produkte, këtë e dëshmojnë edhe statistikat e importit të këtyre produkteve që ka siguruar Gazeta Fjala, nga Dogana e Kosovës.
“Në vitin 2016 janë importuar 14 milionë e 256 mijë e 888 kilogramë mandarina dhe limonë , ndërsa në vitin 2017 janë importuar 13 milionë e 43 mijë e 25 kilogram mandarina dhe limonë”, ka thënë zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.
Vetëm mandarina sipas tij sivjet janë blerë nga kosovarët 9.5 milionë kilogram, që kapin shifrën prej 2.8 milionë euro.
Ndërsa janë importuar edhe 3.4 milionë kilogramë limonë, me një kosto prej 2.1 milionë euro, shkruan Gazeta Fjala.
23 milionë euro për kafe e çaj
Edhe sasia e kafesë dhe çajit që është importuar është e madhe. Afërsisht mbi 23 milionë euro në vit janë shpenzuar nga kosovarët për import të këtyre pijeve.
“Në vitin 2016, janë importuar 9,656,098.00 kilogram çaj dhe kafe, dhe që kapin shifrën prej 23,893,434.00 euro”, ka thënë për Gazetën Fjala zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Kjo shifër ka qenë e lartë edhe në vitin që lamë pas. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, janë importuar 5.7 milionë kilogram çaj dhe kafe, në vlerë prej 17 milionë euro.
Import edhe nga Afrika Jugore
Por, ndonëse konsumohen në masë të mëdha, asnjëra prej këtyre produkteve nuk prodhohet në Kosovë.
Janë më se 20 shtete brenda e jashtë Evropës prej të cilave Kosova i siguron këto produkte. Sasia më e madhe e këtyre produkteve vijnë nga Shqipëria, pasuar nga Greqia dhe Turqia.
Vetëm prej Shqipërisë janë importuar më shumë se 6 milionë kilogramë mandarina e mbi 600 mijë kilogramë limonë, që kanë vlerë mbi 2 milionë euro.
Ndërkaq vetëm importi i kafes nga Brazili i kushton mbi 4 milionë euro.
“Nga Brazili importohen 2 milionë e 663 mijë e 3 kilogram kafe”, ka thënë Adriatik Stavileci për Gazetën Fjala.
Shtete të tjera prej të cilave importon vendi ynë këto produkte janë edhe: Kroacia, Qipro, Izraeli, Afrika Jugore, Spanja, Egjipti, Turqia, Italia, Peruja, Izraeli, Estonia, Belgjika, Argjentina, Kolumbia, Uruguai dhe Vietnami.
Mandarinat “Clementes”, të preferuarat e kosovarëve
Konsumohen shumë, por jo të gjithëve u pëlqen lloji i njëjtë i këtyre agrumeve dhe pijeve. Del se të preferuarat e kosovarëve janë mandarinat e llojit “Clementines” dhe “Ëilkings”, Ndërsa limonët që përdoren më së shumti janë ata të llojit “Citrus limon” dhe “Citrus limonim”.
Së paku kështu thonë statistikat e Doganës së Kosovës që ka siguruar Gazeta Fjala.
Edhe kafen nuk e pëlqejnë të gjithë të njëjtën. Lloji i kafesë që më së shumti importohet ajo e papjekur dhe e pa dekafeinizuar, pastaj kafeja e pjekur, e padekafeinizuar.
“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 janë importuar 3.5 kilogram kafe e papjekur dhe e pa dekafeinizuar, ndërsa 808 mijëkilogram kafe e pjekur, e padekafeinizuar”, ka thënë Stavileci për Gazetën Fjala.
Por në tregun kosovar, gjejnë përdorim edhe zëvendësuesit e kafes, por që kanë përmbajtje të saj, si dhe lëkura dhe lëvorja e kafes.
Ndërsa tek lloji i çajit, i preferuar del të jetë çaji i zi me paketime deri në 3 kilogram, pasuar nga çaji i gjelbër në paketime deri në 3 kilogram.
“Janë importuar 775 mijë e 165 mijë kilogram çaj i zi, ndërsa 7 mijë e 171 kilogramë çaj i gjelbër”, thuhet në statistikat e importit të siguruara nga Dogana e Kosovës.
Ndryshe, shumica nga këto produkte në bazë të hulumtimeve të ndryshme thuhet se kanë veti shëruese si dhe parandalojnë një numër të madh të sëmundjeve/Gazeta Fjala
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...