Në Forumin e Paqes në Paris, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Presidentja Osmani, ka disa herë që takohet me të parin e Francës në harkun e pak muajve.
Natyrisht, ajo nuk u takua me ceremoni zyrtare të organizuar nga Kosova apo Franca, por në forumet apo samitet e ndryshme që kanë ndodhur.
Gjithsesi, ata janë takuar dhe kanë shkëmbyer biseda në lidhje me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe ndihmën e Francës në këtë proces.
Nëse kthehemi në retrospektivë dhe shikojmë takimet e para disa muajve Macron-Osmani, atëherë mund të vërejmë se të paktën sa i përket anës fizike, ndoshta Macron ka filluar t’i jep më shumë rëndësi Kosovës.
Gjithsesi, ishte pikërisht Franca ajo e cila vendosi një kusht të ri, atë të sistemit ETIAS, për liberalizimin e vizave për Kosovën, gjë që e pengoi zhvillimin e mëtejshëm të këtij procesi, të paktën deri në nëntor të vitit të ardhshëm.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Macron theksoi se në Paris diskutuan për paqen dhe stabilitetin në rajon, sidomos pas veprimeve të Serbisë në kufi me Kosovën, si dhe për liberalizimin e vizave.
Ndërsa Kurti, theksoi se pikë kryesore e diskutimit në atë takim ka qenë dialogu me Serbinë, me theks të veçantë në planin franko-gjerman, të cilin Kurti e cilësoi si pozitiv për vendin.
Por, të gjitha këto analistët politik po i shohin si përpjekje për një marrëveshje të shpejt mes Kosovës dhe Serbisë.
Ata, thonë se kërkesa e ndërkombëtarëve për anulimin e vendimit për targat dhe themelimin e Asociacionit, është shkak që Franca dhe faktorët tjerë evropian janë aktivizuar në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje sa më të shpejtë mes dy vendeve
Baraliu: Takimet e shpeshta të Macron me Kurtin dhe Osmanin, përpjekje një për marrëveshje sa më të shpejtë Kosovë-Serbi
Këto takime të shpeshtuara të presidencës franceze me krerët institucionalë të Kosovë, profesori universitar, Mazllum Baraliu, i sheh si përpjekje për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë për marrëveshjen Kosovë-Serbi, në mënyrë që të mos rrezikohet paqja në Ballkan.
Sipas Baraliut, këto përpjekje të francezëve, apo më mirë me thënë të gjithë Evropës, vijnë si pasojë e gjendjes së shkaktuar në Ukrainë. Për të, në kuadër të këtyre përpjekjeve është edhe plani franko-gjerman.
“Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë i ka vetëdijesuar, por jo sa duhet, krye-eksponentët e qendrave vendimmarrëse në Evropë që të ndërmarrin veprime që edhe në Ballkan të ketë më tepër stabilitet në të ardhmen. E rezultat i këtij plani është edhe ky takim atje në Francë, ku Macron dëshiron që thjesht t’i mobilizojë dhe t’i harmonizojë kërkesat e BE-së dhe planet e tyre për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi, përmes takimeve të shpeshta me krerët tanë institucionalë”, thotë ai.
Sipas tij, edhe nga ajo që doli pas takimit nga Osmani dhe Kurti rezultoi një interesim i shtuar i francezëve për dialogun dhe problemet bilaterale të Kosovës dhe Serbisë”, deklaron Baraliu për arbresh.info.
Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, çështje për të cilën Franca pothuajse gjithmonë ka hezituar, Baraliu vlerëson se vizat po përdoren si instrument nga Franca në mënyrë që t’i kushtëzojë ato me arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.
Ai gjithashtu thekson se për sa kohë që Macron është në krye të Francës, Parisi gjithmonë ka qenë më pranë Beogradit sesa Prishtinës, por, frika për një eskalim të situatës dhe destabilizim të Ballkanit, ka bërë që ai të angazhohet më shumë për Kosovën.
“Ndoshta liberalizimi i vizave mund të shërbejë si “shkop e karrotë”, njëfarë kushtëzimi që nga Kosova të kërkohet të lëshojë ‘pe’ në dialog, gjë që nuk është në rregull aspak dhe nuk është hiç korrekte. Franca e Macronit fillimisht dhe mbarimisht ka qenë jo sa duhet e prirur të ndihmojë, ajo më tepër e ka ndihmuar Serbinë, po tani i ka shtrënguar kriza në Ukrainë, dhe më pas frika se mos po hapen konflikte hibride në Ballkan, kur dihet se Ballkani është një zonë mjaft tektonike. Andaj, edhe Macron ka filluar të interesohet më shumë për Kosovën dhe fatin e qytetarëve të saj”, tha Baraliu për arbresh.info.
Berisha: Kjo po ndodh për shkak të zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës
Ndërkaq, analisti politik, Ridvan Berisha, për arbresh.info thotë se këto takime të shpeshta janë në kuadër të shtyrjes përpara të planit franko-gjerman, i cili sipas tij, tashmë është i ‘fundosur’ për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, me theks të veçantë te ndërrimi i targave dhe themelimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Kërkesa e ndërkombëtarëve për anulimin e vendimit për targat dhe themelimin e Asociacionit si dhe refuzimi i Kurtit për ta bërë një gjë të tillë, sipas Berishës, është shkak që Franca dhe faktorët tjerë evropian të aktivizohen në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje sa më të shpejtë të Kosovës me shtetin serb.
“Takimet e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti me presidentin e Francës, Macron, janë në kuadër të përpjekjeve tashmë të vyshkura për ta shtyrë përpara një proces thuajse të fundosur, pra, planin franko-gjerman. Kjo po ndodh për shkak të zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, ku bashkësia ndërkombëtare insiston me ngulm që Kosova ta anulojë vendimin për ndërrimin e targave dhe ta formojë Asociacionin me komuna të shumicës serbe”, shprehet ai.
Berisha thotë se ka një unitet të bashkësisë ndërkombëtare që Kosova duhet t’i kryejë këto detyra dhe zhvillimet në veri i shohin si dëm serioz që mund ta kërcënojë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe rrjedhimisht, edhe dëm në përpjekjen e tyre të bashkë-koordinuar për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
Tashmë, jozyrtarisht, janë publikuar edhe 9 pikat të cilat i përmban plani franko-gjerman, në të cilin, përkundër deklaratave të ndryshme se ai përmban themelimin e Asociacionit, në këtë përmbajtje të këtij propozimi, vërehet se askund nuk përmendet ky plan.
Në pikën e parë të këtij plan- propozimi thuhet se Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë raporte normale dhe të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejtat e barabarta, në pikën e dytë Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Në përputhje me MSA-në (Marrëveshjet e Stabilizim Asocimit), të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin çfarëdo mosmarrëveshje mes tyre ekskluzivisht me mjetet paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës”, thuhet ndër të tjera në pikën e dytë të këtij plani” .
Ndërsa, në pikën tre të planit franko-gjerman thuhet se at (Kosova-Serbia) riafirmojnë paprekshmërinë, tani dhe të ardhmen, të kufijve ekzistues mes tyre dhe zotohen për respektim të plotë të integritetit territorial të njëra-tjetrës, pika katër thotë se Kosova dhe Serbia vazhdojnë me pohimin se asnjë nga të dy palët nuk e përfaqëson tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as nuk vepron në emër të tjetrës.
Po ashtu në njërën prej pikave të këtij plani- franko-gjerman thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen se Traktati i tanishëm nuk do të cenojë traktatet dhe marrëveshjet e mëhershme bilaterale dhe multilaterale, të arritura tashmë nga to ose për to”, thuhet në artikullin e Euractiv.
Për këtë plan të hartuar nga Franca dhe Gjermania, është bërë bujë e madhe nga vetë përfaqësuesit e dy shteteve, madje, është përmendur edhe nga kancelari gjerman. Olaf Scholz, e sidomos nga presidenti francez, Emmanuel Macron./arbresh.info/ Emir Avduramani/
Veliaj përfundon dëshminë në SPAK pas rreth 5 orësh: Do jap ...
Krimet ekonomike në Komunën e Graçanicës, dy persona shoqëro...
Mbledhja e KQZ-së dështon, VV revoltohet për afatin e regjis...
Nesër, nga ora 15:00, mbyllet qarkullimi në segmentin Kijevë...
Ismaili: Dërgesat e mërgatës deri në muajin shtator 2024 arr...
Leo i nervozuar me veprimin e Vullnetit