Në një raport të Grupit për Ballkan “Kosova: Trendet e Migracionit Kërkojnë Një Qasje të Re të Politikave” bëhet e ditur se emigrimi për qëllim të punësimit ka shënuar një rritje të dukshme nga 2,770 në vitin 2016 në 11,444 në vitin 2018.
Raporti i ri i politikave të Grupit të Ballkanit “Kosova: Trendet e Migracionit Kërkojnë Një Qasje të Re të Politikave”, i publikuar në mes të tetorit ofron një analizë të thelluar e trendëve të migrimit në Kosovë, të cilat kanë kaluar nga emigrimi i parregullt në atë të rregullt, strukturat institucionale për qeverisjen e migracionit dhe potenciali për zhvillim socio-ekonomi përmes migrimit.
Raporti gjithashtu ofron një sërë rekomandimesh institucionale dhe të politikave të cilat institucionet e Kosovës inkurajohen të ndërmarrin për të përmirësuar menaxhimin dhe qeverisjen e migracionit dhe për t’iu përgjigjur më mirë lëvizjeve të fundit migratore.
“Është me rëndësi të nënvizohet se 52% e leje-qëndrimeve lëshohen për qëllim të bashkimit familjar, 30% për qëllime të punësimit, 3% qëllime të studimit dhe 15% për qëllime tjera. Gjermania ka regjistruar gjithsej 18,986 (54.25%) qytetarë të Kosovës më leje-qëndrim valide, Sllovenia ka regjistruar 3,819 (10.9%), Italia ka regjistruar 2,842 (8.1%), Kroacia ka regjistruar 2,065 (5.9%), dhe vendet tjera kanë regjistruar pjesën e mbetur prej 20%”, thuhet në raport.
Trendi i rritjes së emigrimit për qëllim të punësimit nënkupton se shumë persona të cilët janë aktiv në tregun e punës dhe të kualifikuar në sektorë të ndryshëm janë duke e lëshuar vendin.
“Kosova rrezikon të përballet me ‘humbje masive të trurit’, e cila mundet potencialisht të rezultojë me mungesë të personelit të aftësuar dhe me fuqi aktive punëtore të kualifikuar”, thuhet në raport.
Trendet dhe statistikat nuk ofrojnë të dhëna për profilin e kosovarëve të cilët emigrojnë për qëllim të punësimit si dhe nuk japin një pasqyrë të sektorëve ekonomik në të cilët ata punësohen në vendet e destinacionit.
“Megjithatë, ka disa indikacione për profesione të ndryshme të cilat duket se janë më atraktive për tregun e punës në vendet e BE-së, edhe pse prioritet mund të ndryshojnë prej vendit në vend. Preferencat profesionale përfshijnë personelin shëndetësor, sektorin e IT-së, ndërtimtarinë, hotelerinë dhe turizmin”, thuhet në këtë raport.
Marrëveshja e Bashkëpunimit e nënshkruar në mes të Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës me homologun e tij gjerman në fushën e kujdesit shëndetësor, synon në mes tjerash, të certifikoj dhe njoh diplomat e profesionistëve të kualifikuar, në veçanti infermierëve, duke lehtësuar kështu inkuadrimin e tyre në tregun e punës në Gjermani.
Në anën tjetër, qasja e Qeverisë në adresimin e kësaj problematike është kritikuar nga partitë opozitare dhe ishte bërë subjekt i diskutimeve dhe dallimeve të shprehura në diskursin publik.
Po ashtu, ekziston nevojë urgjente të zhvillohet një qasje ligjore apo strategjike, e cila mundëson marrjen e informatave nga vendet kryesore të destinacionit për kosovarët duke përfshirë këtu profilin e atyre të cilët emigrojnë për qëllime të punësimit dhe sektorët më atraktiv ekonomik.
Në raport po ashtu thuhet se autoritetet duhet të vlerësojnë nevojat e tregut vendor të punës dhe të investojnë më shumë në programe inovative të punësimit.
“Shkalla e papunësisë mbetet e lartë, sidomos tek gratë dhe të rinjtë (mosha 15-24) duke qëndruar në 34.4% përkatësisht 49.4% në 2019. Ky është një indikacion i qartë për Qeverinë e cila duhet të zhvillojë politika për të rritur punësimin e grave dhe të rinjve si dhe të zhvillojë programe trajnimi dhe edukimi për të integruar këto grupe në tregun e punës”, thuhet ndër të tjera në raportin Kosova: Trendet e Migrimit kërkojnë Një Qasje Të Re Strategjike. /Telegrafi/
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua
Trajneri i Empolit i frikësohet një largimi të mundshëm të I...
Lëshohet në qarkullim pulla postare që lufton dhunën kundër ...
Osmani: Derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhuna, asnjëra ng...
Barku i madh shkakton osteoporozën edhe tek meshkujt
Njëqind vjet më parë u ndërtua autostrada e parë në botë, a ...