Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj është përfshirë në debatin për kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe rolin e tij gjatë kohës sa kishte qenë pjesë e UNMIK-ut.
Në një postim në Facebook, Miftaraj ka shkruar se ndaj Lulzim Bashës po bëhet luftë politike para zgjedhjeve që do të mbahen në Shqipëri.
“Lufta speciale ndaj Lulëzim Bashës është luftë politike para zgjedhjeve në Shqipëri në mes të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Shumë të pavërteta, shumë njollosje, shumë politikë, orkestrim dhe qërim i hesapeve personale”, ka shkruar Miftaraj.
Miftaraj ka shkruar se Basha për gjithçka mundet mu akuzu, por të akuzohet se ka punuar kundër UÇK-së është marrëzi.
Ndërkaq ditëve të fundit në Shqipëri dhe Kosovë ka nisur një debat për rolin e kreut të PD-së në disa filmime për masakrën e Krushës së Madhe e hetime që janë kryer kundër UÇK-së. Lulzim Basha është akuzuar se ka marrë këto filmime gjatë kohës sa kishte qenë pjesë e UNMIK-ut
Postimi i plotë i Miftarajt:
Lufta speciale ndaj Lulëzim Bashës është luftë politike para zgjedhjeve në Shqipëri në mes të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Shumë të pavërteta, shumë njollosje, shumë politikë, orkestrim dhe qerim i hesapeve personale.
Prej fillimit të vitit 2005 deri në gusht 2007 kam punuar në Divizionin e Politikave Ligjore në Departament të Drejtësisë në UNMIK.
Kush e din si ka funksionuar Departamenti i Drejtësisë në UNMIK, e din se ka pasur shumë luftë dhe xhelozi mes shefave të divizioneve në këtë department, shtyllës së parë të UNMIK dhe Zyrës së PSSP-së.
Shumica e ndërkombëtareve në Department të Drejtësisë në UNMIK vetëm për faktin se ka qenë Lulëzim Basha shqiptare i Shqipërisë kanë pasur xhelozi të jashtëzakonshme ndaj të njejtit dhe ia kanë kontestuar në vazhdimësi profesionalizmin e tij me argumentin se i njejti është shqiptar dhe është i njëanshëm në raport me shqiptarët e Kosovës.
Të vetmën pikë që e kanë kontestuar me xhelozi të tmershme ka qenë se anon nga shqiptarët dhe kjo ndikon në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij në punë.
Kontributi i Bashës në formimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë dhe kalimin e kompetencave nga UNMIK ka qenë i jashtëzakonshëm.
Basha për gjithçka mundet mu akuzu, ama me akuzu se ka punu kundër UÇK është marrëzi.