Miftaraj: Kodi Civil po keqpërdorët për vota nga VV-ja, dëm i madh nëse s’miratohet këtë vit

08:40 | 10 Gusht 2022
arbresh.info

Kuvendi i Kosovës duhet ta ketë prioritet miratimin e Kodit Civil në sesionin vjeshtor, ka thënë për Ekonomia Online, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Se i njëjti do të sillet në Kuvend për miratimin e ka thënë shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Por me këtë rast, Miftaraj ka thënë se rëndësia e këtij Kodi është jetik për drejtësinë në Kosovë, e cila thotë se do t’i rregullonte shumë çështje.

“Kodi Civil do të duhej të ishte prioritet i prioriteteve jo vetëm për Kuvendin por për gjitha partitë politike por në të njëjtën kohë Qeveria do të duhej që kryeministri Kurti të lobonte që ky Kod të miratohej dhe të kalonte gjatë këtij viti kalendarik. Nuk po flasim për një kod ose iniciative ligjore të zakonshme, po flasim për një kodifikim të drejtësisë civile në Kosovë, e cila do të rregullonte çështje të cilat janë të shpërndara në një numër të madh të ligjeve të stërvjetëruara në drejtësinë civile në Kosovë”, ka thënë ai.

“Edhe për kundër faktit që po i kushtohet shumë rëndësi çështjet që në një farë forme është duke e penguar miratimin e Kodit Civil, ky kod duhet parë si një tërësi e normave juridike që do ta lehtësonte jetën e qytetarit, do ta lehtësonte punën e sistemit gjyqësor në Kosovë si dhe do të promovonte të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me Kushtetutë. Unë besoj që përveç çështjet që kanë të bëjnë me unionin e martesave të gjinisë së njëjtë, janë edhe çështje të tjera që janë të rëndësishme për Kosovën dhe të cilat duhet të miratohen dhe ky kod të kalojë sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh ai.

Miftaraj ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e keqpërdor kodin civil për agjendë politike, teksa ka kërkuar nga shefi i Qeverisë që ta promovojë këtë Kod te partia e tij.

“Nuk besoj se është keqkuptuar sa është duke u keqpërdorur nga partia në pushtet për agjendë politike apo për një grusht votash. Besoj se të gjithë e dimë se një e drejtë e garantuar me Kushtetutë, ajo e drejtë vetëm fuqizohet në praktikë. Besoj se deputetët dhe qytetarët e kuptojnë sesa është i rëndësishëm kodi civil. Pra po flasim për një ligj sistematik i cili e rregullon një fushë jashtëzakonisht shumë por në një farë mënyrë në publik partia në pushtet japin kahje tjetër dhe besoj që vetë kryeministri Kurti do duhej të promovonte idenë që ky Kod të miratohej”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme