Miftaraj: Kjo qeveri po merret me tema të mëdha që të ikë nga problemet e përditshme

23:23 | 16 Dhjetor 2021
L G

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka vlerësuar se qeveria e tanishme po e shfrytëzon atë që e kanë bërë qeveritë më herët, që sipas tij, duke u marrë me tema të mëdha, po iu ikën problemeve të përditshme.

“Kjo qeveri është e vërtetë që ka një plan shumë ambicioz. Fatkeqësisht, ka një planifikim jo shumë serioz, nëse marrim vetëm agjendën legjislative që e ka bërë miratimin e 193 ligjeve, me rishikim 188, sepse janë tërhequr pesë projektligje, aktualisht në kuvend janë miratuar vetëm 18 projektligje, 10 përqind pra”.

“Qeveria i ka miratuar 105 prej tyre. Kjo qeveri ka ardhur në pushtet për shkak të sundimit të ligjit, qytetarët kanë pasur shpresën te kjo qeveri se ka për të ndryshuar mentalitetin, ka për ta ndryshuar praktikën e ish-qeverive më herët”.

Miftaraj, në Rubikon, ka thënë se qeveria aktuale ka probleme serioze.

“Kemi një problem serioz të kësaj qeverie. Me caktimin e prioriteteve, ku rol ka luajtur se kjo qeveri s’ka qenë në gjendje të ketë një dialog të strukturuar, një dialog konstruktiv me partnerët ndërkombëtarë, me identifikuar cilat janë prioritetet e kësaj qeverie për sundimin e ligjit për këtë vit ose në të ardhmen”.

Ai strategjinë mbi sundimin e ligjit e ka konsideruar si strategji sektoriale.

“Strategjia është kryer në kohën e Abelard Tahirit, pastaj nga qeveria Kurti 1. Albulena Haxhiu ka bërë disa ndryshime, Selim Selimi ka ndryshuar, çdo ministër që ka ardhur ka dashur të ndryshojë diçka. Kështu që puna e madhe është kryer në atë kohë. Nuk them që nuk është sukses që është miratuar, por thash nuk ka qenë në top prioritetet, siç ka qenë kërkesa e partnereve ndërkombëtarë”.

Të ngjashme