Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi javën e kaluar se ka kthyer prapa projektligjin për ushtrinë, pasi kërkonte që Ushtria të formohej me ndryshime kushtetuese.
E që ushtria të formohet nëpërmjet ligjit, kryeministrit nuk po ia miraton SHBA-ja, pasi sipas tyre e vetmja rrugë që Kosova ta ketë ushtrinë e saj është përmes ndryshimeve kushtetuese.
Tani, projektligji është kthyer mbrapa dhe Ministria e Forcës e Sigurisë së Kosovës së bashku me ekspert po merren me ndryshimet e kërkuar nga i pari i ekzekutivit.
Kështu është deklaruar për lajmi.net, Halil Matoshi drejtor i Zyrës për Informim në kryeministri.
“Ligji është në rishikim nga Ministria (e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës) përkatëse me ekspertët, duhet që disa detaje të harmonizohen”, ka thënë ai.
Çka nënkupton harmonizimi i ligjit dhe cilat janë pikat konkrete që kryeministri ka kërkuar për ndryshim, Matoshi dha këtë përgjigje:
“Harmonizimi nënkupton që ligji të jetë shumë cilësor dhe të reflektojë politika shumë të përgjegjshme. Normalisht projektligji duhet t’i përfshi të gjitha konditat e një ushtrie profesionale, sipas modelit të NATO-s, gjithëpërfshirëse që reflekton strukturën etnike të popullsisë së Kosovës dhe mbi të gjitha që është një trupë mobile me baza ose në kondita të ushtrive të NATO-s.”
“E kam kthyer ligjin. Ka qenë në Qeveri. E kam kthyer prapa, se ka paraparë ndryshime kushtetuese”, pati thënë kryeministri Haradinaj në një emision televiziv në T7.
Mirëpo, pas deklaratës së tillë kryeministrit, në një përgjigje nga ambasada e SHBA-së në Kosovë të dhënë për lajmi.net thuhej:
“Ne kemi nxitur qeverinë që të punojë metodikisht për tranzicionin e FSK-së dhe që të vazhdojë me fushatën e saj brenda Kosovës si dhe me partnerët ndërkombëtarë, për të siguruar përkrahje maksimale për këtë tranzicion. SHBA-të vazhdojnë të përkrahin tranzicionin e FSK-së përmes një ndryshimi kushtetues”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Sido qoftë, situata u qetësua asokohe, mirëpo çfarë realisht tani po kërkohet nga kryeministri, që Ushtria të formohet me ndryshime kushtetuese apo me ligj? Matoshi thotë se dy opsionet mbeten të hapura.
“Objektivisht ende ekzistojnë të dyja opsionet. Me ligj duhet të ecim me kujdes për shkak të rrugës së Kosovës drejt NATO-s, me ndryshime kushtetuese duke se do të jetë shumë e vështirë, por ky opsion ende nuk ka ra”, tha mes tjerash ai.
Arsyetimi i kryeministrit që Ushtria të bëhet me anë të ligjit ishte mungesa e dy të tretave të votave në Kuvend të Kosovës që do pamundësonte ndryshimet kushtetuese.
Autobusi del nga rruga dhe përfundon në humnerë, 17 viktima ...
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Kumbaro: Shqipëria synon turizëm elitar me gjithë sfidat
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Kurti sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë s...