Mësuesit e shkollave shqipe të Kantonit të Aargaut ishin mysafirë nderi të zonjës Merita Pinta e cila është pronare e firmës “Prima Pflege” në Tegerfelden. Ata kohë më parë kishin caktuar mbledhjen e tyre të radhës për 21 Maj 2017, të cilën Merita e organizoi në rezidencën e firmës së saj, me qëllim që t`i nderojë, ata të cilët angazhohen në edukimin e brezave të rijë, në ruajtjen e gjuhës amtare. Mikpritja ishte tipike shqiptare dhe kaloi në një atmosferë të jashtëzakonshme.
Takimin e hapi Pinta, e cila i falënderoi mësuesit (Eshtrefe Nuhiu, Qefsere dhe Vaxhid Sejdiu, Fitnete Balaj, Ilirida Ramadani, Halime Vishi, Elfete Hysenaj dhe Sadete Boja) dhe përfaqësuesit e këshillave prindëror (Luljeta Fetahaj, Ilmije Luma , Luljeta Adili, Fatmir Musliu dhe Bajram Mulaj), të cilët, atë ditë kishin ardhur të marrin pjesë në mbledhjen e rregullt, e cila organizohej në vazhdën e përgatitjeve për manifestimin me rastin e përfundimit të vitit shkollor.
Riza Demaj kryetari i Kryesisë Kantonale, i cili falënderoi Meritën për këtë nder, mësuesit për angazhimin e tyre në procesin mësimor, foli edhe për mbështetjen e madhe që japin sponsorët: Adem Osmani, Merita Pinta dhe Visar Muriqi, të cilët janë sponsorë të përhershëm të manifestimeve të shkollë shqipe.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe, se kur shkolla shqipe dhe biznesi shqiptar bëhen bashkë. Bëhet mrekulli. Merita dëshmon suksesin në fushën e biznesit dhe mbështetjen e madhe ndaj shkollës shqipe,” është shprehur Demaj.
Në pikën e dytë të rendit të ditës folën mësuesit për punën e tyre me nxënësit, me qëllim që pjesa artistike të përgatitet sa më mire, shkruan arbresh.info.
Merita Pinta i ka bërë thirrje gjithë prindërve shqiptarë në Kantonin e Aargaut, që fëmijët e tyre, t`i dërgojnë në shkollën shqipe, sepse ata në këtë mënyrë ua ruajnë fëmijëve gjuhën e nënës. Nuk ka mëkat më të madh kur fëmijët mbesin analfabetë në gjuhën amtare./arbresh.info/