Google ADS

Mesiq për Haradinajn: Miku im shumë shpejt do të kthehet në Kosovë

13:49 | 24 Shkurt 2017
M. A.

Ish-presidenti kroat, Stipe Mesiq, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë është takuar edhe me zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Në këtë parti Mesiq është është takuar me nënkryetarin e parë të AKK-së Ardian Gjini.

Ky i fundit ka rikujtuar se Kroacia çdo herë e ka mbështetur Kosovën në shumë procese.

Gjini tha se e njoftoi ish- presidentin kroat edhe për procesin e kryetarit të partisë i cili po mbahet në Strasburg të Francës ku është në pritje të vendimit nga gjykata franceze pasi ishte ndaluar me një fletarrest të lëshuar nga Serbia.

 

“Kjo vizitë na nderon shumë. Sidomos kur kryetari i partisë ndodhte ende në Strasburg dhe presim që javën tjetër të lirohet. Është një mbështetje e madhe morale që na vjen prej presidentit Mesiq. Ne e mbajmë mend shumë mirë mbështetjen e Kroacisë edhe sa ka qenë president i Kroacisë . Presidenti Mesiq vazhdon me qenë mik i yni dhe ne vazhdojmë me qenë miq të presidentit Mesiq dhe të Kroacisë”, tha Gjini.

Ndërsa ish- presidenti kroat Stipe Mesiq, ka treguar se vizita e sotme në AAK-së ka pasur për qëllim që të informohet për rastin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

 

“Unë sot u njoftova me nënkryetarin për çështjet politike në Kosovë, për çështjet ekonomike në Kosovë dhe gjithçka tjetër që ndodhi kohën e fundit në Kosovë. Gjithashtu u informova dhe më interesonte për shokun dhe mikun tim të ngushtë, z. Haradinaj, situatën e tij, por unë jam i bindur dhe mendoj që shumë shpejt miku im do të kthehet në Kosovë”, tha Mesiq.

Një ditë më parë, ish-kreu i shtetit kroat është takuar në Prishtinë me kryeministrin Isa Mustafa.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që nga koha kur është arrestuar kreu i kësaj partie dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është vizituar edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme