Mësimdhënësit thonë se pagat aktuale janë në disproporcion me standardin jetësor

19:42 | 8 Janar 2019
Arbresh.info

Nazmi Selmani tash e 33 vjet punon si arsimtar në Shkollën e Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë.

Ai thotë se për këto vite ka përcjellë gjenerata të shumta dhe ka punuar me vullnet të madh, raporton KTV.

Selmani përmend se vetëm 2 herë i është rritur paga dhe ndihet falënderues për këtë, por megjithatë, standardi jetësor, sipas tij, tani është shumë më i lartë dhe pagat aktuale nuk po u mjaftojnë.

Rritje të koeficientit për të gjithë mësimdhënësit po vazhdon të kërkojë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Përfaqësues të saj kanë mbajtur takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, pas ultimatumit që i kanë dhënë Qeverisë për rritje të koeficientit.

Rrahman Jasharaj, në një prononcim për KTV-në, pas takimit, ka thënë se kryeministri Haradinaj u premtoi se do ta shqyrtojë kërkesën e tyre.

Mirëpo, në rast se kjo nuk ndodh, ai ka kërcënuar me grevë të përgjithshme.

Por, koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, ka thënë se do ta shqyrtojnë rritjen e koeficientit për disa mësimdhënës.

Tahiri ka shtuar se do të angazhohen edhe në Komisionin Parlamentar për Arsim, që të bëhen përmirësimet e nevojshme.

SBASHK-u, vazhdimisht, ka kërcënuar me grevë. Grevë njëorëshe ishte mbajtur në dhjetor të 2018-s, prej nga u paralajmërua grevë e përgjithshme më 14 janar të këtij viti, kur rinis mësimi, nëse kërkesat nuk realizohen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme