Google ADS

Mësimdhënësit të gatshëm t’i kthehen shkollave, shumë nxënës nuk arritën të kyçen online

Rrahman Jasharaj
18:05 | 10 Janar 2021
A Z

Mësimdhënësit janë mobilizuar që të fillojnë me 18 janar gjysmëvjetorin e dytë nëse institucionet qeveritare do të ndajnë shtesën prej 100 eurove dhe nënshkruajnë tekstin e ri të Kontratës Kolektive.

Kështu bënë të ditur kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për arbresh.info.

“Krahas pagave, t’ju ndihmohet edhe me mjete shtesë, me 100 euro në muaj derisa punëtorët e arsimit janë në shkolla. Po presim që të gjithë t’i kthehemi shkollave dhe jemi të bindur se e meritojnë. Kërkesa e dytë ka të bëjë me kontratën kolektive. Jemi pajtuar për tekstin e ri dhe presim që javën e ardhshme Ministri ta nënshkruaj”, thotë Jasharaj.

Ai pret që edhe kryeministri, Avdullah Hoti, t’i presë në takim për të diskutuar kërkesat e tyre.

“Jam i sigurtë se edhe kryeministri, Avdullah Hoti, do të na thërrasë në takim dhe ta gjejmë një zgjidhje. Në mbledhjen e të mërkurës do të takohemi me Këshillin Drejtues në formë elektronike dhe pas takimeve do të vendosim se si të vazhdojmë më tutje. Nuk përjashtohet greva, pasi aty janë të gjithë përfaqësuesit e të gjitha niveleve dhe ata vendosin”, deklaron Jasharaj.

Gjatë gjysmëvjetorit të parë kanë qenë 2301 të prekur me covid19 mësimdhënës dhe ndihmës. Rritja e numrit bëri që ky gjysmëvjetor të përfundojë më herët.

Jasharaj bënë të ditur se zëvendësimet nuk janë kompensuar pavarësisht se sipas planit është paraparë kompensimi.

Ai shton se Drejtoritë Komunale të Arsimit është dashur t’i kërkojnë nga Qeveria përmes shifrave dhe raporteve paratë për kompensim të zëvendësimeve. Zëvendësimet kanë ardhur pasi rreth 300 mësimdhënës janë liruar nga angazhimi i tyre.

“Kemi pritur se DKA nuk do të bëjnë harrnime por do të aktivizojnë kuadro të reja. Të sëmurët nuk është dashur të zëvendësohen, por të merren kuadro të reja. Asnjë komunë nuk ka kompensuar zëvendësimet, por edhe të sëmurët duhet të paguhen”, është shprehur Jasharaj.

Rënia e numrit të infektuarve, sipas kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, për mësimdhënësit nuk paraqet problem që të vazhdojnë mësimin nëpër shkolla.

Mësimdhënësit janë përballur me vështirësi të mëdha gjatë organizimit të mësimit online për shkak të mungesës së teknologjisë, rrjedhimisht edhe një numër i madh i nxënësve nuk ka arritur të ndjekë mësimin në mungesë të kushteve./V.Selimi/arbresh.info/

 

Të ngjashme