Java e ardhshme duket se do të jetë një javë me tema të “nxehta” për Kosovën. Me 15 janar zyrtarisht nis punën Kuvendi i Kosovës, ku pritet të diskutohet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe Ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.
Më 22 dhjetor të vitit 2017, 43 deputetë, dorëzuan në kryesinë e Kuvendit kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, bashkangjitur edhe projektligjin për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kjo tentativë e presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe e kryeparlamentarit Kadri Veseli për të shfuqizuar Gjykatën Speciale dështoi, pasi që në dy mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nuk kishte kuorum për të kërkuar seancën e jashtëzakonshme, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.
Sipas zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, do të ketë nisma të tilla edhe në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme.
Deputeti Nait Hasani, në muajin dhjetor kishte deklaruar për “Bota Sot” se një nismë e tillë do të tentohet të hyjë në rënd të ditës në seancat e ardhshme të cilat do të mbahen.
“Kosova nuk rrezikohet asgjë nga Gjykata Speciale. Unë do të kërkojë që të hyjë në rend të ditës përsëri tema për shfuqizimin e Gjykatës Speciale”, kishte thënë Hasani.
Por, Hasani duket se ka nderuar mëndej. I pyetur nga portali Arbresh.info për këtë qëndrim ai ka thënë se nuk ka përgjigje.
Kurse sipas analistit politik Haki Abazi asnjë deputet me përgjegjësi ndaj shtetit nuk do të votojë për shfuqizimin e Gjykatës.
“Niveli i lartë i papërgjegjësisë dhe veprimet delitanteske antikushtetuese të Thaçit dhe klanit “Pronto” nuk janë befasi më. I gjithë tërmeti, shpërdorimi i parasë publike dhe degradimi i plotë deri në izolim i shtetit të Kosovës është rezultat i veprimeve të bazuara në interesa individuale e klanore. Kjo që po tentojnë të bëjnë është veprim antikushtetues dhe kundrejt interesave të shtetit. Nuk e besoj që asnjë deputet me përgjegjësi ndaj shteti e sidomos ata të LDK dhe VV të votojnë për çfarëdo shfuqizimi dhe kjo gjë do të mbetet në tentativë”, tha Abazi.
Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë të premten u shpreh e shqetësuar në lidhje me iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Në një komunikate për media, Zyra e Bashkimit Evropian bëri të ditur se çdo përpjekje për të shfuqizuar Specialen rrezikon marrëdhëniet Kosovë-BE.
“Çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara dëmton seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikonte punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës për sundimin e ligjit të bërë vitet e fundit. Kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. BE-ja, pra, kërkon që krijuesit e nismës së Parlamentit ta tërheqin atë.
E kreu i legjislativit, Kadri Veseli të hënën, në një kolumne të botuar në media tha se Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet.
Ndërsa ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili natën e 22 dhjetorit kur ndodhi nisma për shfuqizimin e kësaj gjykate, e quajti këtë akt “thikë pas shpine” të Kosovës ndaj ndërkombëtareve, ka përshëndetur qëndrimin e Veselit.
Në arsyetimi e datës së 22 dhjetorit, kur 43 deputetë nënshkrues dorëzuan në kryesinë e kuvendit kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, bashkangjitur edhe projektligjin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, thuhej:
“Duke marrë parasysh obligimin Kushtetues që Republika e Kosovës është e obliguar që të mbrojë dhe garantojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara me Kushtetutë, në këtë drejtim me qëllim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe interesit të Republikës së Kosovës për të parandaluar pasojat që mund të jenë të pariparueshme, zgjidhja më e mirë është shfuqizimi i Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës Nr.27, me datën 31 gusht 2015”./MiraAvdimetaj/Arbresh.info/
Irani konfirmon se do t’i diskutojë çështjet bërthamore me t...
NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit...
Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Me flamujt kuq e zi në duar/ Mijëra shqiptarë presin Ramën n...
Guardiola pas humbjes nga Tottenham: Ne do të ngritëmi
Izraeli thotë se një rabin është vrarë në Emiratet e Bashkua...