Merr vendim Kushtetuesja lidhur me ankesën e Vetëvendosjes ndaj ish presidentit Thaçi

18:16 | 18 Nëntor 2020
Arbresh.info

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të ish-presidentit Hashim Thaçi të datës 14 mars 2020 për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Podujevës.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të heqë nga lista kërkesën e deputetëve të VV’së, dhe me shumicë votash kjo çështje ka mbetur pa objekt shqyrtimi.

Sipas GJK’së pozita e tanishme, përkatësisht caktimi i datës së zgjedhjeve është rrethanë e tillë e cila konsiston në atë që kërkesa në fjalë, tashmë nuk ka arsyetim dhe se qëllimi që është kërkuar të arrihet, tashmë është arritur plotësisht.

“Gjykata konstaton se përmes Vendimit të Presidentit [Nr.157/2020], objekti i kërkesës së parashtruesve të kërkesës ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Pozita e tanishme, përkatësisht caktimi i datës së zgjedhjeve është rrethanë e tillë e cila konsiston në atë që kërkesa në fjalë, tashmë nuk ka arsyetim dhe se qëllimi që është kërkuar të arrihet, tashmë është arritur plotësisht. Në dritën e kësaj, Gjykata konsideron se nuk ka më merita për të shqyrtuar më tutje këtë çështje dhe një arsyetim të tillë, Gjykata tashmë e ka shprehur qartë edhe në praktikën e saj gjyqësore”, thuhet në vendimin e GJK’së.

Vendimi i plotë e Gjykatës Kushtetuese:

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 18 nëntor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën: 1. KO 98/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e shkurtër të vendimit (teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

Lënda: KO 98/20
Parashtrues: Hajrullah Çeko dhe 29 deputetë tjerë

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës [nr.52/20], të datës 14 mars 2020, për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se, vendimi i kontestuar nuk është në pajtueshmëri me: paragrafin 4 të Nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], nenin 7 [Vlerat], nenin 123 [Parimet e përgjithshme], nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] dhe paragrafin 1 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 21 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe me nenin 3 të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kërkesa bazohej në nënparagrafin 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme