Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, vendimin për caktimin e datës për një takim të radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta marrin varësisht se si do të rrjedhin ngjarjet në Kosovë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.
Këtë për Gazetën Express e kanë konfirmuar nga zyra e Qeverisë Federale të Gjermanisë, duke thënë se dëshirojnë një kthim të shpejtë në dialog dhe se mirëpresin një vendim për heqje të taksës.
Derisa nga Bashkimi Evropian s’kanë asnjë koment për zhvillimet e fundit në Kosovës dhe për atë se si duhet vepruar në vazhdimësi sa i përket normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, nga Berlini zyrtar kanë një qëndrim.
Ata thonë se janë duke i përcjellë për së afërmi bashkë me Francën zhvillimet e fundit në Kosovë pas largimit të Haradinajt nga posti i kryetarit të Qeverisë, dhe se vendimin për një takim të mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të marrin varësisht se si rrjedhin ngjarjet në Prishtinë.
“Gjermania dhe Franca janë duke ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë. Një vendim i mundshëm për një takim do të merret bazuar në rrethanat që do të krijohen”, ka thënë një zyrtar për media nga Qeveria e kancelares Angela Merkel.
E derisa Kosova tashmë ndodhet në një vakum institucional, me një kryeministër në largim dhe me një Kuvend që dita ditës pritet të shpërndahet për të shkuar në zgjedhje të reja, nga Qeveria e Gjermanisë kanë qëndrime të qarta.
Ata nuk janë pozicionuar sa i përket zgjedhjeve të reja, apo krijimit të një ‘qeverie teknike’, megjithatë kanë dhënë porosinë e tyre të vjetër.
Berlini zyrtar kërkon rikthim të shpejtë në dialogun e drejtuar nga BE-ja dhe thonë se e mirëpresin në të ardhmen një vendim për shfuqizim të taksës 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.
“Ne mbështesim një kthim të shpejtë në dialogun e drejtuar nga BE-ja për normalizim të raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës. Do të mirëprisnim gjithashtu edhe heqjen e taksës 100 % që Kosova ka vendosur ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, kanë potencuar nga zyra e kancelares Angela Merkel për Gazetën Express.
Kthimin e shpejtë në dialog dhe heqjen e taksës kanë kërkuar vazhdimisht të gjithë miqtë perëndimor të Kosovës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për rinisjen e dialogut të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zotuar në Beograd edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron.
Ai ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjë në bashkëpunim të plotë me Gjermaninë dhe gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas takimit që ka pasur me presidentin e Serbisë, është përfolur shumë se një takim i mundshëm Prishtinë-Beograd do të mbahet në fillim të shtatorit.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të gatshme që të përfshihen në mënyrë direkte në bisedimet Kosovë-Serbi. Një gjë të tillë e ka thënë për VOA, Philip Reeker, pas një bisede që ai e ka pasur me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Lidhur me vazhdimin e dialogut dhe zgjedhjet e reja e qeverinë teknike, Express ka dërguar pyetje edhe në adresë të Bashkimit Evropian. Megjithatë edhe pse kanë kaluar pesë ditë që nga dorëheqja e Haradinajt, ata ende nuk kanë ndonjë qëndrim për atë se si duhet të procedohet tutje.
Për dorëheqjen e Haradinajt ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili e ka quajtur një ‘trik politik’ të Haradinajt që një ndër synimet ka edhe shkaktimin e vonesave në dialogun e Brukselit.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...