Diaspora vazhdon të jetë burim financiar për familjet dhe ekonominë kosovare, ku vetëm për tre muajt e parë të këtij vitit kanë shënuar 170 milionë e 500 mijë euro që është një rritje prej 7.1 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore e Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti tha për Kp se vitin e kaluar, Kosova ka pasur rritje të vlerës së dërgesave nga bashkatdhetarët, në krahasim me vitin 2016.
Vlera e dërgesave apo remitencave për vitin 2017, ka qenë 759 milionë e 200 mijë euro, derisa në vitin 2016, kjo shifër ishte 691 milionë euro.
“Sa i përket këtij viti, deri në muajin mars vlera e dërgesave të bashkatdhetarëve ka arritur në 170.5 milionë që prapë është rritje prej 7.1 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit paraprak, ku vlera e dërgesave ka qenë 163.4 milionë”, theksoi zëdhënësi Ahmeti.
Ai shtoi se shtetet kryesore prej nga vijnë këto dërgesa janë kryesisht ato shtete ku është e koncentruar diaspora e kosovare dhe ku prinë Gjermania e përcjellë nga Zvicra, SHBA-ja, Austria, Italia, Franca, Suedia, Britania, Belgjika etj.
Ndërsa, edhe ministri i Financave, Bedri Hamza ka komentuar dërgesat nga diaspora, që sipas tij, kanë shënuar ngritje dhe kanë impakt pozitiv në ekonomi dhe në tregun e Kosovës.
Hamza: Remitencat kanë shënuar ngritje
“Pse mendoj që ka parkushte për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe më të madh ekonomik. Këtë vit shpenzimet prej buxhetit duhet të jenë më të larta se në vitin paraprak, në investime dhe në konsum. Norma e rritjes së kredisë vazhdon me qenë e lartë, është diku mbi 10 përqind rritja e kreditimit. Remitencat nuk kanë rënie, ato kanë ngritje dhe të gjitha këto ndikojnë në tregë. Ka më shumë para në tregë”, ka thënë shkurt ministri Hamza.
Ndërsa, analisti i ekonomisë, Jakup Bellaqa ka thënë për KosovaPress se remitencat janë një impakt i rëndësishëm që ndikon në rritjen e të ardhurave.
“Të hyrat që i dërgojnë diaspora më së shumti shkojnë në konsum, një pjesë edhe në investime si në shtëpia, gjithashtu edhe në themelimin e biznesit familjar. Duhet cekur se në bazë të të dhënave burimore diku rreth 750 milionë euro që dërgohen nga diaspora, dërgesa apo remitenca vjetore, gjithsesi që ndikon në rritjen e standardit të jetës se qytetarëve dhe në ruajtjen e një paqe sociale, përkatësisht ngritjen e mirëqenies ekonomike, ndikon në mënyre direkte dhe indirekte në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë ai.
Ndryshe, shpesh herë ka pasur ide të ndryshme edhe nga ekonomistë të tjerë për mundësinë e kanalizimit të investimeve të këtyre mjeteve nga diaspora, që do të kishin ndikuar në rritjen e investimeve dhe të punësimit.
Zjarr në Kullën Eifel, evakuhoen 1200 persona
Policia e Kosovës rritë masat e sigurisë në prag të festës K...
Lista Serbe ankohet në PZAP për moscertifikim
Guardiola konfirmon një mungesë të madhe për ndeshjen ndaj E...
Ukraina merr një miliard dollarë nga Britania dhe Japonia si...
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë vjen n...