Mergim Lushtaku e konfirmon kandidimin për deputet

23:00 | 17 Maj 2017
Arbresh.info

Djali i Sami Lushtakut, Mergim Lushtaku përmes një postimi në Facebook ka  konfirmuar se do të jetë kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se arsyeja pse është futur në këto zgjedhje është se dëshiron që ta shohë PDK-në me më shumë vlera dhe më të fortë dhe se do të punojë që të nderojë Kosovën, familjen tij dhe Drenicën.

Postimi i plotë:

“Të dashur e të nderuar miq, qytetarë,

Siç edhe e dini, këto katër vitet e fundit për mua dhe familjen time kanë qenë vite mjaft të rënda. Për arsye të panjohura krejtësisht, kemi qenë në shënjestër të persekutimeve të pakuptimta, mirëpo ne vazhdojmë të jemi të pastër, sa i përket drejtësisë.

Por, kjo nuk do të thotë se nuk jemi lënduar, e që nuk kemi vuajtur. Kjo bëhet edhe më e dhimbshme, kur këto padrejtësi po bëhen në Kosovën e pavarur. Në këtë kaos të madh, padyshim se spekulimet janë të pashmangshme.

Çdo kush e merr të drejtën të flasë në emrin tonë. Shumëkush nuk heziton të tregojë nëse ne, familja e Sami Lushtakut, është hidhëruar me atë, ose me këtë politikan, me atë ose me këtë parti.

Është tashmë e njohur edhe për opinion që ne jemi të hidhëruar me sistemin juridik në Kosovë dhe me pafuqinë e klasës politike për t’i parandaluar këto padrejtësi.

Ndërsa, dëshiroj ta shpreh qartë, ne vazhdojmë të jemi aty ku kemi qenë, me Partinë Demokratike të Kosovës dhe udhëheqësinë e saj të re, me kryetarin Kadri Veseli.

Nëse kemi pakënaqësi, atëherë kjo është sepse duam ta shohim këtë parti edhe me më shumë vlera dhe më të fortë, shumë më të fortë. Për të ndodhur kjo, kam vendosur që në këto zgjedhje të kandidoj për deputet të Kuvendit të Kosovës, në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ka qenë dhe mbetet edhe babai im, Sami Lushtaku.

Ky angazhim i imi, le të shërbejë edhe si mbyllje e spekulimeve. Le të shërbejë si përgjigje që PDK-ja është unike, se Drenica është unike dhe se do të rreshtohet pa asnjë rezervë përkrah PDK-së dhe kryetarit Veseli.

Asnjëherë në jetën time nuk kam marrë përgjegjësi më të madhe se sa kjo. Jo pse i frikësohem punës dhe angazhimit, mirëpo përfaqësimin e zërit të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës nuk e konsideroj privilegj. Jo pse unë nuk dua, po sepse përgjegjësia është shumë e madhe.

Nuk do të rresht së punuari që ta nderoj sa më shumë që mundem familjen, Drenicën dhe Kosovën. Do të provoj që në institucionet publike, në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës, të angazhohem për dobinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, e në veçanti për dobinë e qytetarëve të rajonit të Drenicës, interes dhe ideal për të cilin është angazhuar edhe babai im, në luftë dhe pas saj.

Drenica meriton edhe më shumë përkujdesje. Diskriminimi shekullor prej shtetit jugosllav dhe atij serb, edhe më tutje nuk është shëruar. Rajoni ynë, përkundër përkujdesjes së institucioneve, vazhdon te mbetet më i pazhvilluari në Republikën e Kosovës. Ne nuk guxojmë të kompleksohemi prej zërave keqdashës. Duhet të vazhdojmë të japim çdo gjë brenda forcave tona, t’i fokusojmë të gjitha energjitë tona, që Drenica ta kap zhvillimin e rajoneve tjera të Kosovës. Për këtë, kam marrë mbështetje edhe nga kryetari Kadri Veseli, për të realizuar investime që do të ndikonin në mënyrë direkte në zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies së jetesës në Drenicë.

Të nderuar miq,

Më lejoni të ju garantoj që do të punoj kokëulur e me zell të madh për qytetarët që më votojnë, por edhe për ata që nuk më votojnë. Me të drejtë, opinioni do të me gjykojë dyfish: edhe si deputet i ardhshëm, nëse zgjidhem, e edhe si pjesëtar i një familje me të kaluar të ndritshme.

Unë, edhe pjesa tjetër e familjes, presim që shumë shpejt edhe baba do të fitojë lirinë e merituar. Asnjë akuzë ndaj tij nuk është provuar. Ai vazhdon të mbetet i pafajshëm, por në burg. Është dëshirë e tij, e edhe vullnet i imi, që PDK, e bashkë me PDK-në edhe Kosova, të fitojë edhe në këto zgjedhje.

Zoti na ndihmoftë!
Zoti e bekoftë Drenicën!
Zoti e bekoftë Kosovën tonë të dashur!

Me respekt,
Mërgim Lushtaku”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme