Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka prezantuar sot Koordinatorin e Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Naim Ismajli.
Përmes një video prezantimi, kreu i PDK-së tha se e ardhmja e Kosovës, nuk mund të paramendohet pa agjendë të gjelbër, e cila kërkon politika dhe qasje të re në të gjitha fushat, duke filluar nga bujqësia e zhvillimi rural.
“Andaj, sot kam nderin të prezantoj koordinatorin e Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, z. Naim Ismajli, i cili së bashku me një ekip të gjerë profesional, do të na ndihmojë në arritjen e këtij objektivi prioritar për të ardhmen e vendit tonë. Të gjithë e njihni si kryetarin emblematik të Komunës së Shtimes, ku ka qeverisur për katër mandate. Por, veç kësaj, Naimi ka mbi 30 vjet përvojë pune në pozita udhëheqëse e menaxheriale.”, tha Krasniqi.
Naim Ismajli është inxhinier i diplomuar i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, dhe ka përfunduar studimet master dhe të doktoratës për Menaxhment dhe Informatikë.
Përveç si kryetar i Komunës së Shtimes, ai ka shërbyer si Drejtor i Kooperativës Bujqësore, Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Ambient dhe kryeshef ekzekutiv në Kuvendin Komunal në Shtime.
Për më shumë se dy dekada, Ismajli ka qenë i angazhuar në mësimdhënie, prej të cilave më shumë se 10 vjet si ligjërues universitar i lëndëve nga fusha e menaxhmentit, marketingut dhe lidershipit.
Gjatë video prezantimit si koordinator i Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në KQM, Naim Ismajli, duke falënderuar kryetarin Krasniqi për besimin, theksoi se zhvillimi ekonomik i Kosovës, medoemos duhet të bazohet në një bujqësi të zhvilluar dhe në një sektor rural aktiv.
“Së bashku me ekspertët e Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në KQM, do të hartojmë strategjinë për përdorim më të mirë të burimeve në bujqësi që do të ndikojë në arritjen e një niveli më të lartë të konkurrueshmërisë së bujqësisë. Sot, bujqësia e Kosovës dominohet me ferma të vogla e të pa modernizuara dhe me një konkurrencë të padrejtë nga vendet e rajonit dhe të BE-së. Prandaj, konkurrueshmëria e ulët reflektohet drejtpërdrejt në një bilanc negativ tregtar. Për të hartuar politika adekuate, një qasje të integruar dhe koordinim të aktiviteteve në planin kombëtar, ne do të bashkëpunojmë ngushtë me Fakultetin e Bujësisë dhe me institucionet tjera relevante. Plani jonë për bujqësi do ta transformojë këtë sektor vital për vendin nëpërmjet adaptimit më të gjerë të teknologjive të reja.”, tha ai.
Naim Ismajli është koordinatori i katërt i prezantuar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, disa ditë pas prezantimit të vizionit të PDK-së për Kabinetin për Qeverisje të Mirë./arbresh.info/
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me sigur...
Delegacioni i Maqedonisë së Veriut arrin në Kosovë, priten n...
Fitore Pacolli kapet keq me komentues për grantin 100 mijë e...
Po voziste nën ndikim të alkoolit, gjobitet shoferi në Gjila...
Gjendet pa shenja jete në banjën e një shtëpie një grua në F...
Kryeministri rumun pranon se Kosova luajti mirë, por thotë s...