Memli Krasniqi përshëndet miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit të Dick Marty-t

23:47 | 21 Korrik 2022
E.H

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka përshëndetur miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, e cila i adresohet Këshillit të Evropës mbi pabasueshmërinë e pretendimeve të përfshira në raportin e ish-Senatorit Dick Marty.

Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se këto pretendime kanë qenë dhe mbesin shkak i një barre të padrejtë që ka rënduar mbi shtetin e Kosovës, tashmë më shumë se një dekadë.

“Institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë i kanë përmbushur të gjitha obligimet për t’i trajtuar pretendimet e tilla, përkundër se nuk mund të ketë rezultat për diçka që s’ka as bazë as lëndë. Megjithatë, ne kemi paguar e vazhdojmë të ballafaqohemi padrejtësisht me koston e atyre pretendimeve të pabaza, diçka që do të duhej të merrte epilog pikërisht nga Këshilli i Evropës, për ta çliruar të vërtetën e epokës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fabrikimet qëllimkeqe të armiqve të lirisë dhe pavarësisë sonë. Faleminderit të gjithë deputetëve që unanimisht e votuan këtë Rezolutë, e në veçanti inicuesve dhe hartuesve të saj”, ka shkruar lideri i PDK-së./arbresh.info/

Të ngjashme