Memli Krasniqi: Heqja e taksës, mashtrim i radhës i Qeverisë

00:50 | 2 Prill 2020
Trina Galanxhi

Nënkryetari i i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë qëndrim konsistent.

Në një bisedë në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se PDK-ja ishte kundër Qeverisë Kurti dhe si pasojë edhe votoi pro rrëzimit të kësaj qeverie në mocionin e iniciuar nga LDK-ja, partner qeveritar.

Ai ka përsëritur se PDK-ja do të mbetët në opozitë në këtë kohë, derisa zërat se partia e udhëhequr nga Kadri Veseli do të mbështesë një Qeveri tjetër i ka quajtur paragjykime.

“Duhet të respektohen hapat kushtetues, për hapat e mëvonshëm do të sillemi përgjegjshëm, sikur deri më tash”, ka thënë Krasniqi. “Ato janë kalkulime të gabueshme, çështje të interpretimit. PDK-ja i ka qëndrimet e veta dhe natyrisht se do të votojë në Kuvend karshi këtyre qëndrimeve në pajtim edhe me programin tonë politik, gjithçka që thuhet për ne është paragjykim”.

Ai ka folur edhe për tarifën e hequr sot për mallrat e Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës.

Sipas tij, ky është një vendim gjysmak dhe mashtrues nga ana e Qeverisë në detyrë.

Qeveria në detyrë sot ka njoftuar se ka nisur me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, por Krasniqi thotë se kjo s’ka të bëjë me të vërtetën.

“Ne sot kemi një deklaratë për këtë çështje, është një vendim në bazën e vendimeve mashtruese të kësaj qeverie, realisht nuk ka të bëjë asgjë me premtimet as me konsistencën. Nuk ka të bëjë më reciprocitet, është munduar të kamuflohet me reciprocitetin gradual. Fillimisht tha se do të bëhet reciprociteti pastaj do të hiqet taksa, pastaj tha se taksa e reciprociteti do të ndodhin për një ditë e më pas tha se fillimisht do të hiqet taksa e më pas do të vendoset reciprociteti”, tha ai.

Krasniqi po ashtu ka folur edhe për maunat e kthyer në kufi, pasi nuk i referoheshin Kosovës me emrin kushtetues. Por sipas tij, një vendim i tillë ekziston tash e një vit, i marrë nga Qeveria e kaluar.

“Vendimi ka qenë në fuqi për më shumë se një vit. Ku mbeti reciprociteti për targat e veturave, e shumë të tjera, apo siç i ka quajtur vet Kurti, reciprocitet ekonomik, tregtar e politik”, ka thënë Krasniqi.

E sa i përket çështjes së taksës, sipas tij, qëndrimin më konsistent dhe më të mirë e ka mbajtur partia e tij.

“Është në vazhdimësinë e vendimeve gjysmake, ne ishim të vetmit konsistent që nga janari i vitit 2019, ishim që të pezullohet tarifa për 120 ditë, e nëse nuk do të kishte një marrëveshje për njohje reciproke, atëherë do të vendosej prapë. Kështu edhe do i merrnim parasysh rekomandimet e shtetit mik të Kosovës, SHBA-së”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka përjashtuar mundësinë që PDK-ja të jetë në këtë kohë pjesë e Qeverisë, por ajo do të jetë pjesë e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“PDK-ja gjithmonë ka qenë për të marrë pjesë në proceset që janë interes kardinal për Kosovën, edhe kur kemi qene në opozitë, edhe në kohën kur kemi qenë udhëheqës të qeverisë i kemi ftuar të jenë pjesë e procesit. Edhe në mandatin e kaluar i kemi ftuar, madje i kemi ftuar edhe ta udhëheqin këtë proces. Ne nuk kemi ndryshim të qëndrimeve tona. Në çështjet që lidhen me interesin e Kosovës, padyshim se PDK-ja do të jetë gjithmonë aty. Procesi duhet të mbyllet me pjesëmarrjen e të gjithëve”, u shpreh Krasniqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme