Ministrja së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, pas kthimit të rastit në rigjykim, sërish është deklaruar e pafajshme për mos raportim të pasurisë.
“E kuptova aktakuzën, nuk kam nevojë për sqarime shtesë, jam absolutisht e pafajshme”, tha ministrja Haradinaj-Stublla.
Një deklarim të tillë e akuzuara Haradinaj-Stublla e bëri pas leximit të aktit akuzues nga prokurori Bekim Kodraliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim në shkallë të parë, lëndën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla.
Haradinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor 2019, për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.
Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht. Gjithashtu, ajo ishte dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, detyrohej ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohet me burgim, ku do të llogaritet 20 euro, për një ditë burgim.
Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.
“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 04.10.2019 është anuluar sipas detyrës zyrtare, dhe çështja penale i është kthyer gjykatës së njëjtë, në rigjykim dhe vendosje”, thuhej në komunikatën për media të Apelit.
Sipas Apelit, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.
“Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët. Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.
Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, me zyre nr “108 Woolmead Avenues në “Companies House”, edhe pse ka qenë e obliguar. /BetimipërDrejtësi
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...
BE kërcënon Rusinë me sanksione
Gara me jahte në Australi, humbin jetën dy persona
Mbi 90.000 të regjistruar për votim nga diaspora
Kë do të largonte Leo nga shtëpia po të kthente Lelën?, ja c...
Dua Lipa fejohet me Callum Turner