Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se rritja ekonomike vjetore prej 4 për qind që po shënon vendi nuk është treguar e mjaftueshme për ta zbutur papunësinë dhe për ta zvogëluar deficitin tregtar. Këto komente guvernatori Mehmeti i ka bërë në një intervistë për portalin “Front Online”, duke shtuar se sipas parashikimeve të institucionit që e drejton norma reale e rritjes ekonomike të Kosovës do të vazhdoj të jetë e njejtë edhe në vitin 2020.
Gjatë kësaj interviste për “Front Online” Mehmeti ka folur edhe për normat e interesit në kredi që aplikohen nga bankat komerciale në Kosovë, duke theksuar se normat e tilla janë pothuajse të njejta me vendet e rajonit, por ende mbeten më të larta në krahasim me vendet e BE-së.
“Kjo gjë kuptohet pasi që ekonomitë e vendeve të BE-së janë më të avancuara se ekonomitë e rajonit tonë dhe kjo gjë natyrisht që reflektohet në norma më të ulëta të interesit.”, ka theksuar mes tjerash Mehmeti.
Sa i përket industrisë kosovare të sigurimeve, ai ka thënë se gjatë gjysmës së parë të këtij viti kjo e fundit ka paguar dëme në vlerë prej 22 milionë euro, apo 2.2 % më shumë se në periudhën e njejtë të vitit të kaluar.
4% rritja ekonomike e Kosovës edhe vitin tjetër
Mehmeti: Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje te vazhdueshme prej rreth 4%, e cila ka arritur të sigurojë një shkallë të kënaqshme të stabilitetit makroekonomik, por që nuk është treguar e mjaftueshme për të pasur një ndikim më të madh në zbutjen e papunësisë dhe deficitit tregtar. Ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e ekonomike dhe në asnjë rast nuk është një faktor i vetëm që mund të shpie në rritjen ideale që i nevojitet një ekonomie. Megjithatë, duke e pasur parasysh mundësitë që ka Kosova për rritje më të madhe ekonomike, konsideroj që duhet të ndërmerren masa në rritjen e investimeve në kapitalin njerëzor dhe fizik, zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e sundimit të ligjit me qëllim të krijimit të një ambienti më të favorshëm ekonomik për t’i tërhequr edhe më shumë investimet e huaja.
Mehmeti: Sipas parashikimeve të BQK-së, norma reale e rritjes ekonomike në Kosovë do të vazhdojë të jetë rreth 4% edhe në vitin 2020, mirëpo duhet pasur parasysh se baza ende e vogël e ekonomisë së vendit bënë që realizimi apo mosrealizimi i disa projekteve më të mëdha të investimeve kapitale të ketë ndikim mjaft të rëndësishëm në normën e rritjes ekonomike. Duke pasur parasysh parashikimet për rritje ekonomike në intervalin prej 2.5% – 4% në vendet tjera të rajonit për vitin 2019, me një normë të rritjes prej rreth 4%, Kosova pritet të vazhdojë të bëjë pjesë në vendet me rritjen më të lartë ekonomike në rajon.
Mehmeti: Diaspora vazhdon të jetë faktor shumë i rëndësishëm i zhvillimit të vendit, dhe potenciali i saj vazhdon të rritet. Komunikimi i vazhdueshëm dhe informimi më i mirë i tyre për mundësitë që i ofron Kosova do të mund të ndikonte në shfrytëzimin më të mirë të potencialit të tyre. Gjithashtu, inkurajimi i mobilizimit të kapitalit të tyre do të ndikonte në rritjen e investimeve në projekte të cilat kërkojnë shuma më të larta të kapitalit. Në përgjithësi, përmirësimi i përdorimit më efektiv të dërgesave mund të arrihet nëpërmjet përmirësimit të klimës së investimeve në Kosovë.
Kosova me shkallën më të ulët të borxhit publik
Mehmeti: Borxhi publik në tremujorin e parë të vitit 2019 ka arritur në 1.1 miliardë euro, që është për 8.5% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 16.3%. Kjo rritje e borxhit publik i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 14.5% (i cili ka arritur në 701.6 milionë euro), ndërsa borxhi i jashtëm publik ka shënuar rënie prej 0.4 % duke arritur në 414.1 milionë euro. Pjesëmarrja e borxhit të jashtëm publik në gjithsej borxhin publik është zvogëluar në 37.1% nga 40.4% sa ishte në tremujorin e parë të vitit 2018.
Përkundër rritjes, ky nivel i borxhit publik është ende larg pragut prej 40% të paraparë me rregullën fiskale. Për më tepër, ky nivel i borxhit publik e mbanë Kosovën në pozitën e vendit me shkallën më të ulët të borxhit publik krahasuar me vendet e rajonit të cilat, sipas FMN-së, kanë një mesatare të borxhit publik në raport me BPV-në prej 54.3%
Mehmeti: Sipas indikatorëve të fundit të stabilitetit dhe performances financiare të sektorit bankar të muajit korrik 2019, raporti i mjaftueshmerisë së kapitalit është 16.7% dhe vazhdon të jetë dukshëm mbi minimumin e kërkuar rregullativ prej 12%.
Kreditë jo-performuese vazhdojnë trendin e përmirësimit dhe tani kanë arritur në nivel shumë të ulët prej 2.6% dhe janë dukshëm me të ulëta krahasuar me ekonomitë e ngjashme siç janë ato të rajonit. Këto kredi kanë gjithashtu mbulueshmëri me provizione prej 163.2%.
Sektori bankar është gjithashtu shumë likuid me një raport të likuiditetit prej 35% krahasuar me minimumin rregullativ të kërkuar prej 25%. Edhe treguesit e profitabilitetit janë të kënaqshëm. Kthimi Mesatar në Kapital është 16.5 %.
Mehmeti: Normat e Interesit kanë shënuar Rënie të vazhdueshme ndër vite, duke arritur në 5.99% në fund të vitit 2018 që në të njëjtën kohë ka qenë norma më e ulët mesatare e shënuar ndonjëherë në Kosovë. Normat e interesit 5 vite më parë, në fund të vitit 2013, kanë qenë dyshifrore, gjegjësisht 10.9%. Kjo rënie tregon një përmirësim shumë të madh të tyre. Këto norma janë pothuajse të njëjta me vendet e rajonit, por mbeten më të larta në krahasim me vendet e BE-së. Kjo gjë kuptohet pasi që ekonomitë e vendeve të BE-së janë më të avancuara se ekonomitë e rajonit tonë dhe kjo gjë natyrisht që reflektohet në norma më të ulëta të interesit.
Shtrenjtimi i tarifave të shërbimeve bankare
Mehmeti: Është evidente që shtrenjtimi i tarifave të shërbimeve bankare në Kosovë po shoqërohet edhe me ankesa dhe pakënaqësi të klientëve. Megjithatë, duhet pasur parasysh faktin se shtrenjtimi i shërbimeve bankare është shoqëruar me një përmirësim shumë të madh të cilësisë dhe shpejtësisë të shërbimeve që bankat i ofrojnë për klientët e tyre, siç janë numri i pikave të shitjes me kartelë (terminalet POS), rritja e gamës së shërbimeve që mund të kryejnë përmes ATM-ve, lehtësimi i qasjes në shërbimet bankare përmes internetit e kështu me radhë. Rritja e efikasitetit të bankave është shumë e rëndësishme për zhvillimin e tyre të mëtejmë dhe për aftësinë e tyre për të ofruar shërbimet e tyre me kosto sa më konkurruese. Për këtë qëllim, ne i inkurajojmë bankat që të rrisin përpjekjet për të rritur efikasitetin e tyre dhe për të ofruar shërbime me çmime sa më konkurruese për klientët dhe punojmë në vazhdimësi për t’i ofruar sistemit financiar në përgjithësi një infrastrukturë financiare që e mbështetë zhvillimin dhe rritjen e efikasitetit të këtij sistemi.
Mehmeti: Kostoja e financimit paraqet një ndër faktorët kryesor që përcakton kërkesën për kredi, prandaj lirisht mund të themi se ulja e normave të interesit ka pasur ndikim të rendësishëm në rritjen e vëllimit të kredive. Norma vjetore e rritjes së kredive ishte 10.9% në muajin gusht të këtij viti dhe reflekton trendin e rritjes që e ka karakterizuar ketë sektor në vitet e fundit. Kreditë e reja në muajin korrik të këtij viti kanë shënuar shumën më të lartë të shënuar ndonjëherë prej 146.2 milion euro. Kjo është e vërtetë edhe për kreditë investuese të cilat arrijnë shumën prej 63.2 milion euro, e cila gjithashtu është shuma më e lartë e shënuar ndonjëherë.
Kreditë jo-performuese më të ulëta se edhe në disa shtete të BE-së
Mehmeti:Kreditë jo-performuese ka vazhduar trendin rënës dhe tani kanë arritur në një nivel mjaft të ulët prej 2.6% dhe janë dukshëm me të ulëta krahasuar me ekonomitë e ngjashme siç janë ato të rajonit, por janë në disa raste edhe me të ulëta se sa ekonomitë e zhvilluara të shteteve të BE-së siç janë Rumania, Spanja, Irlanda, Sllovenia etj.
Mehmeti: Sektori i sigurimeve vazhdoi të rrisë aktivitetin sigurues, si dhe kompensimin e dëmeve për të siguruarit edhe gjatë vitit 2019. Gjithsej vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve në qershor 2019 ishte 47.3 milion euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 6.9%.
Në të njëjtën kohë, për shkak të rritjes së rezervave teknike, përkatësisht rezervave për dëme, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, sektori i sigurimeve ka afaruar me rezultat financiar negativ.
Megjithatë, për shkak të ndryshimeve të kohëve të fundit legjislative, sa i përket tatimimit të sektorit të sigurimeve, dhe masave të vazhdueshme mbikëqyrëse që ka ndërmarr BQK-ja, vlerësojmë se deri në fund të vitit, sektori i sigurimeve do të rikuperoj rezultatin financiar dhe të vazhdoj me performancën pozitive të viteve të fundit.
Sigurimet, 22 milionë euro dëme të paguara për 6 muaj
Mehmeti: Vlera e dëmeve të paguara bruto, deri në qershor 2019 është në shumë prej 22 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 2.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, derisa dëmet e ndodhura kanë shënuar rritje prej 20.4%. Rritja e dëmeve të paguara, përveç rritjes së numrit të policave të sigurimit, reflekton edhe sjelljen më të përgjegjshme të kompanive të sigurimit ndaj të siguruarve.
Mehmeti: Sektori i sigurimeve ka bashkëpunim me shtete të ndryshme të BE-së dhe të regjionit kryesisht lidhur me aktivitetin risigurues. Të gjithë siguruesit janë të angazhuar në aktivitetin e risigurimit me sigurues të shteteve të BE-së dhe vendeve të tjera.
Në këtë aspekt, sigurisht që ka hapësirë për rritje të bashkëpunimit për rritje të mëtejme të aktiviteteve siguruese dhe adoptimit të standardeve dhe praktikave ndërkombëtare me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të industrisë së sigurimeve në Kosovë.
Mikrofinancat, 20.1 % kamatat mesatare në kredi
Mehmeti: Institucionet mikrofinanciare i shërbejnë një pjesë të tregut që ka qasje më të vështirë në financa dhe të cilët kanë vlerësim më të lartë të rrezikut kreditor. Shërbimi i këtyre klientëve ka kosto më të madhe. Gjithashtu duhet pasur parasysh që këto institucione ofrojnë kredi në shuma të vogla dhe si rrjedhojë kanë numër të madh të klientëve dhe kredive, andaj procesi i lejimit të kredive dhe menaxhimit të tyre pas lejimit kërkon angazhim më të madh të resurseve dhe të gjitha këto ndikojnë në normën e interesit. Më duhet të theksoj që sipas raporteve të fundit, norma mesatare e interesit në kredi të institucioneve mikrofinanciare përfshirë ato jo-bankare është 20.1%.
Serbët pro pjesëmarrjes në zgjedhjet e 9 shkurtit
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...