Google ADS

Mehaj: Turqia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë

20:43 | 8 Qershor 2022
L G

Me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Turqisë, Hulus Akar, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, po merr pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar në Stërvitjen ushtarake më të madhe të forcave të armatosura turke me forcat partnere “EFES 2022”.

Në këtë stërvitje merr pjesë edhe FSK me një kontingjent ushtarak, krahas 11 mijë trupave nga 38 vende tjera të botës.

Gjatë kësaj vizite, ministri Mehaj u prit nga homologu i tij turk, Hulusi Akar.

Nga dy ministrat u vlerësua se pjesëmarrja në stërvitje të tilla është në linjë të bashkëpunimit të ngushtë mes dy ministrive dhe forcave dhe të dy u dakorduan që të intensifikojnë bashkëpunimin e mëtejmë në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Ministri Mehaj ndër tjera, falënderoi ministrin Akar për mundësinë e dhënë si dhe mbështetjen e kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ndërsa, ministri Akar ritheksoi gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes së pakursyer të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale, në Programin e Partneritetit për Paqe drejt anëtarësimit në NATO, si dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Të ngjashme