Google ADS

Mehaj pritet të ketë takim me ish-sekretaren Albright

17:32 | 29 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka zhvilluar një bisedë me ish- sekretaren amerikane Madeleine Albright, e cila e ka ftuar në takim gjatë vizitës së planifikuar të Mehaj në ShBA.
Siç ka bërë të ditur Mehaj përmes një postimi në Facebook, Albright i ka ofruar mbështetje për realizimin e synimeve për Ministrinë e Mbrojtjes.

Postimi i plotë:

Sot kisha nderin e madh dhe privilegjin e veçantë, të takohem me sekretaren historike amerikane të shtetit, Madeleine Albright me të cilin biseduam si dy miq, përmes video-lidhjes, për rreth një orë.
Me këtë rast, sekretaren Albright e falënderova dhe i shpreha edhe njëherë mirënjohjen dhe falënderimin e përjetshëm për lidershipin, vendosmërinë dhe vendimmarrjen e saj në momentet tona më të vështira.
I thashë se ju jeni Heroina e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve liridashës të Ballkanit dhe e tillë do të jeni gjithmonë. Me kënaqësi e njoftova me të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe procesin e tranzicionit të FSK-s. Gjithashtu e njoftova me prioritete e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përgjithësi si dhe me vizionin, qëllimet strategjike dhe objektivat e mi operacional për të ardhmen në veçanti.
Në vazhdim i shpreha mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për SHBA-në, popullin amerikan, Departamentin e Mbrojtjes dhe Ushtrinë Amerikane për kontributin e pazëvendësueshëm dhe jetik për gjithë procesin e ndërtimit, zhvillimit dhe avancimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-në. Zbarkimi në Kuvajt, planet për zbarkimin në Poloni si dhe validimi nga ushtria amerikane e kapaciteteve të para të forcave mbrojtëse ushtarake ishin aspekte me interes gjatë takimit.
Nga ana e saj, sekretarja Albright shprehu impresionet e saj më të larta për të gjitha të arriturat e deritashme duke më siguruar se do të ofrojë të gjitha kapacitetet nga autoritetit i saj në funksion të realizimit të vizionit, qëllimeve dhe objektivave të mi.
Ajo më tha që keni përgjegjësi të lartë dhe më ftoi në takim në kohën e vizitës sime zyrtare të planifikuar në SHBA. Në fund , sekretaren Albright e ftova për vizitë në Ministrin e Mbrojtjes dhe FSK që mbeti ta vlerësojmë në takimet dhe kontaktet tona, që do të jenë të rregullta në të ardhmen./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme